Maqedoni

Analistët për zgjedhjet parlamentare: Zgjedhjet e njëanshme në kundërshtim me sistemin

19.01.2016 16:18

Ekspertët juridik vlerësojnë se organizimi i zgjedhjeve të njëanshme është në kundërshtim me sistemin demokratik...

Ekspertët juridik vlerësojnë se organizimi i zgjedhjeve të njëanshme është në kundërshtim me sistemin demokratik parlamentar dhe si të tilla nuk do të pranohen nga faktori ndërkombëtar dhe do të thellojnë krizën politike në vend.
 
Nëse veprohet njëanshëm, pushteti do të krijojë sfida të reja për veten, ndërsa Maqedoninë dhe qytetarët e saj do t’i vendos në pozitë edhe më të vështirë, thotë Bashkim Selmani, duke shtuar se zgjedhjet janë një fillim i ri me të cilat nis ose zgjidhja e problemeve ose krijimi i problemeve të reja.
 
“Konflikti politik do të krijojë konflikte të tjera. Kjo situatë është si prodhim i problemeve që kanë ndodhë mes pozitës dhe opozitës, dhe nëse nuk do të jetë opozita, atëherë RM nuk do të ketë mundësi që të funksionojë në këndvështrimin demokratik dhe sistem parlamentar, sepse vetë sistemi parlamentar dhe demokracia është e thurur nga pozita dhe opozita, që realisht kanë detyrim moral për ta udhëhequr shtetin në mënyrën më të mirë, dinjitoze dhe, realisht, nuk besoj se do të pranohet nga faktori ndërkombëtar nëse do të kemi zgjedhje të njëanshme”- deklaroi eksperti juridik, Bashkim Selmani.
 
Ndërkaq, analisti politik, Ismet Ramadani, thotë se mbajtja e zgjedhjeve të njëanshme është e pakuptimtë, pasi mbajtja e këtyre zgjedhjeve kishte për qëllim që të shënojë një prerje mes organizimit të zgjedhjeve të kriminalizuara dhe organizimit të zgjedhjeve të lira, korrekte dhe demokratike.
 
Sipas tij, me vendimin e njëanshëm për zgjedhje parlamentare pushteti ka sfiduar dhe shpërfillë edhe faktorin ndërkombëtar.  
 
“Sfidohet këtu edhe BE, për faktin se ne kemi aty një strukturë udhëheqëse e cila me veprimet e veta është treguar edhe antievropiane edhe antiamerikane, dhe çka është më e keqja ajo strukturë udhëheqëse është dëshmuar edhe antishqiptare. Është e çuditshme që partia në pushtet edhe më tutje po e ndjek një parti, apo një kryeministër i cili është i dëshmuar me veprimet e veta antishqiptare dhe antiperëndimore, dhe krejt kjo është humbëse në veprimin e mëtutjeshëm”- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Sipas analistëve, përveç opozitës maqedonase që ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, edhe opozita shqiptare jashtparlamentare ka paralajmëruar se do t’i bojkotojë ato. Nëse ndodh kjo, atëherë parashtrohet pyetja për kë po mbahen zgjedhjet, thonë analistët. 
 
SHPËTIM NUREDINI