Kuvendi zgjodhi kabinetin e ri qeveritar, Emil Dimitriev kryeministër i ri
Maqedonia sot u gdhi me kabinet të ri qeveritar. Mbrëmë vonë, kuvendi me 72 vota pro dhe 9 të përmbajtura zgjodhi qeverinë e re me të cilën do të udhëheq Emil Dimitrievi nga VMRO-DPMNE...

Gjatë fjalimit të tij, Dimitriev tha se vendi ndodhet para një sfide të madhe për të shtuar se do të angazhohet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Republika e Maqedonisë ndodhet në një moment të rëndësishëm historik dhe kyç për zhvillimin dhe përparimin e saj të mëtejmë dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve. Një moment që përbën një sfidë të madhe, por edhe moment i cili si rezultat i vendimeve tona mund të kthehet në përparësi. Tensionet t’i zëvendësojmë me harmoni, ndërsa konfliktin me bashkëpunim. Të dëshmojmë se ne maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët dhe të tjerët kemi kapacitet dhe dituri që t’i përballojmë sfidat”- deklaroi kryeministri, Emil Dimitriev.
Dimitriev shtoi se vjen në krye të qeverisë për të organizuar zgjedhjet e ardhshme, të cilat i cilësoi si një sfidë dhe përgjegjësi e madhe. Ai njëherit i bëri thirrje opozitës që të japë kontributin e saj.
“Qeveria kalimtare që do ta udhëheq do të vazhdojë veprimet e filluara lidhur me procesin zgjedhor, i cili do të jetë i çliruar nga të gjitha dilemat dhe çfarëdo lloj ndikimesh në procesin zgjedhor. Detyra jonë është organizimi i zgjedhjeve të cilat do të jenë fer, të lira dhe demokratike. Këtë qëllim ne do ta realizojmë”- tha kryeministri, Emil Dimitriev.
Seanca u bojkotua nga deputetët e LSDM-së dhe partnerëve të saj të koalicionit. Ndërsa në betimin solemn nuk morën pjesë edhe ministrat e LSDM-së, Oliver Spasovski dhe Frosina Remenski.
Njëherit deputetët e shumicës votuan edhe për shpërbërjen e kuvendit, vendim i cili do të jetë efektiv nga 24 shkurti. (Naim Ramadani, TVM2)
