Kulturë
Shehapi: Në 2016 më shumë mjete për kulturën shqiptare
19.01.2016 16:49
Ministria e Kulturës ka shpallur rezultatet e konkursit për financimin e projekteve për vitin 2016 në 8 sfera të ndryshme të veprimtarisë kulturore...

Ministria e Kulturës ka shpallur rezultatet e konkursit për financimin e projekteve për vitin 2016 në 8 sfera të ndryshme të veprimtarisë kulturore, edhe atë në veprimtarinë e botimeve, muzikës, dramës, artit figurativ, folklorit, në sferën e trashëgimisë kulturore, në sektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, UNESKO dhe në industrinë kreative.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës thotë se në krahasim me vitet e kaluara, sivjet projektet shqiptare kanë shënuar rritje si në aspektin e cilësisë ashtu edhe në aspekt të numrit të tyre. Në program kthehet “Flaka e Janarit”, “Dita e Flamurit”, pastaj do të organizohen koncerte me orkestër dhe solistë të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, gjithashtu do të kthehet edhe manifestimi “Tingujt e Çarshisë” në Shkup, do mbështetet “Fest Nota e Artë”, “Bletëzat” në Tetovë dhe Festivali i Këngëve të vjetra “Teuta”.
“Në veprimtarinë botuese janë përkrahur gjithsej 265 libra të individëve dhe shtëpive botuese, ku prej tyre 63 libra janë të autorëve shqiptarë, prej këtu del se 23.7% janë libra në gjuhën shqipe, ndërsa në librat që nuk janë në gjuhën shqipe, pra 202, bëjnë pjesë edhe librat në gjuhën serbe, boshnjake, turke dhe vllahe... Në sektorin për muzikë skenike, për dallim nga viti i kaluar, janë dukshëm në rritje projektet shqiptare, ku gjithsej kemi 40 projekte, duke përfshirë institucione nacionale. Në aspektin rajonal në Shkup ka 14 aktivitete muzikore, në Tetovë 12, në Kërçovë 4, Dibër 2 dhe në Strugë 1”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Nga Ministria e Kulturës njoftojnë se në sektorin e dramës 24.8% për qind janë projekte shqiptare, prej të cilave 9 janë projekte alternative private, ndërsa 11 të institucioneve shtetërore shqiptare. Ndërsa në veprimtarinë e artit skenik dhe folklorit janë përkrahur 16 projekte nga folklori burimor dhe arti bashkëkohor.
“Në veprimtarinë e trashëgimisë kulturore prioritet i është dhënë Muzeut të Alfabetit në Manastir, ku janë ndarë mjete për figura nga dylli në dhomën përkujtimore të anëtarëve të komisionit. Gjithashtu Qendra Nacionale për Konservim, si një projekt i rëndësishëm, do të merret me shtëpinë e Mehmet Pashë Derallës, ndërkaq Qendra Konservuese në Gostivar me fasadat e shtatë shtëpive”- tha Shehapi.
Të gjithë aplikuesit që për shkaqe të ndryshme janë të refuzuar kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë, e cila do të shqyrtohet nga komisionet kompetente.
SANIJE KASAMI
