Diplomatët: Zgjedhjet të jenë të besueshme
Bashkimi Evropian ende shpreson në pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciq, në një deklaratë për agjencinë “Meta” theksoi se nga mesi i shkurtit do të inspektojë progresin e arritur rreth listës zgjedhore.
“Në këtë fazë, së bashku me OSBE/ODIHR-in, besojmë se ende është e mundur të bëhen reformat e duhura për zgjedhje të besueshme dhe demokratike, me kushtin që të zbatohen ato reforma. Por, e gjithë kjo varet nga progresi i arritur dhe për këtë arsye nga mesi i shkurtit do të shqyrtojmë punën, sidomos rreth listës zgjedhore. Këtë do ta bëjmë me të gjitha palët e prekura, Komisionin Evropian, shtetet anëtare të BE-së, ODIHR-in, KSHZ-në dhe përfaqësuesit lokal, më qëllim që të vlerësohet nëse kushtet për zgjedhje të besueshme janë të përmbushura në datën e parashikuar”, deklaroi Maja Kocijanciq.
Ndërsa tanimë ka filluar të qarkullojë edhe informacioni jozyrtarë se kah mesi i muajit shkurt në Shkup do të vijë sërish eurokomisari, Johanes Han, me një plan trepikësh, do të tentojë ta bind opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërkohë, nga Ambasada e britanike në Shkup, pas shpalljes së zgjedhjeve më 24 prill deklarojnë se mbetet ende shumë punë për sigurimin e zgjedhjeve të besueshme.
“Duhet bërë edhe shumë punë për sigurimin e zgjedhjeve të besueshme, veçanërisht sa i përket listës zgjedhore, për mbulimin e balancuar mediatik dhe qasjen e barabartë në media. Progresi i deritanishëm bazohej në marrëveshjen mes katër partive kryesore. Nëse punohet për gjetjen e zgjidhjes për krizën e vazhdueshme dhe të dëmshme, edhe çështjet e mbetura duhet të zgjidhen me konsensus dhe në mënyrë që të gjitha partitë do të përfshiheshin në zgjedhje dhe do ta pranonin rezultatin si vullnet të shprehur të opinionit maqedonas”, theksojnë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup.
Edhe ambasadorit holandez, Vilem Vauter Plomp, vlerëson se të gjitha aspektet e Marrëveshjes së Përzhinës duhet që të respektohen dhe implementohen, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe inklusive është njëra prej tyre.
“Të gjitha palët e përfshira duhet që pa shtyrje të mëtutjeshme të punojnë bashkërisht për t`i zgjidhur çështjet e ngelura, me qëllim që të mundësojnë implementimin e zgjedhjeve të besueshme, me respektimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjeve, e cila ofron zgjidhje të përhershme të krizës politike në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në deklaratën me shkrim të ambasadorit Plomp.
Nga ana tjetër, OSBE/ODIHR ka bërë të ditur se ka nisur përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve të prillit me kapacitetet e duhura dhe së shpejti pritet arritja në vend e misionit të plotë vëzhgues. (Ersan Pajaziti, TVM2)
