Maqedoni
Reagojnë partitë politike, Zaev thërret në unitet për shpëtimin e Maqedonisë
19.01.2016 18:00
LSDM e Zoran Zaevit akoma nuk ka vendosur për hapat e mëtejmë të veprimit pas formimit të qeverisë teknike...

LSDM e Zoran Zaevit akoma nuk ka vendosur për hapat e mëtejmë të veprimit pas formimit të qeverisë teknike se a do të tërheqë apo jo ministrat, Oliver Spasovski dhe Forsina Remenski, nga Ministria e Brendshme dhe e Sociales.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se për këtë do të vendoset ditëve në vijim, ndërkaq fton partitë dhe qytetarët në unitet për të shpëtuar Maqedoninë.
“Organet dhe trupat e LSDM-së dhe të opozitës, të bashkuar, ditëve në vazhdim do t’i sjellin vendimet e tyre edhe për pjesëmarrjen në qeveri dhe për të gjitha hapat tona të mëtejmë. Pas asaj që ndodhi mbrëmë, u bëj thirrje të gjitha partive politike të të gjitha etnive, të gjithë intelektualëve, gazetarëve, të gjithë luftëtarëve për liri dhe demokraci, që të bëhemi bashkë në një platformë të përbashkët për shpëtim të Maqedonisë. Maqedonia patjetër të kthejë lirinë dhe demokracinë”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, nuk ka parakushte për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike, pasi që është ngushtuar afati kohor për pastrimin e listës zgjedhore nga 85 në 45 ditë.
Për t’u mbajtur zgjedhjet rregullare, sipas Zaevit, do të duhet që të rregullohet edhe statusi i mediave. Kjo u konstatua edhe në mbledhjen e mbrëmshme të LSDM-së.
Por, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se zgjidhja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet e 24 prillit. Ai apelon LSDM-në të mos lëshojë institucionet.
“Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e 24 prillit. Unë mendoj që opozita duhet të reflektojë, opozita duhet të kthehet në institucione. Ne do respektojmë Marrëveshjen e dy qershorit dhe 15 korrikut. Sipas marrëveshjes, do të zbatojmë të gjitha direktivat që dalin nga ajo marrëveshje. Opozita vendin e ka në institucionet, edhe pse quhet opozitë, ka dy ministra, ka tre zëvendësministra me të drejtë vetoje dhe nëse braktisen institucionet, unë mendoj se e bën gabimin më të madh”- theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Por, qëndrim të ngjashëm me LSDM-në kundër zgjedhjeve të 24 prillit në mungesë të kushteve janë shprehur edhe nga PPD dhe “Uniteti”.
“PPD hedh poshtë çdo tentim të koalicionit të vjedhjes dhe krimit ekonomik të jetë organizatore e zgjedhjeve të parakohshme dhe është e prerë se zgjedhje të këtilla nuk i duhen Maqedonisë. PPD nuk do të merr pjesë në to dhe maksimalisht do të angazhohet që ato të bojkotohen nga popullata”, thuhet në kumtesën e PPD-së.
Gjithashtu kjo parti fton eurokomisionerin Hahn të mos merr anën e asnjë subjekti politik dhe të gjejë një datë më reale për mbajtjen e zgjedhjeve, në të kundërtën vendi mund të thellohet akoma më shumë në krizën politike me tendencë destabilizimi.
Edhe nga partia “Uniteti” kërkojnë krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike.
MERAL ISMAILI
