Botë
Tahiri për terroristët: ISIS nuk kontrollon drogën dhe armët në Shqipëri
19.01.2016 18:04
Shqipëria nuk shërben si burim furnizimi me armë e drogë për Shtetin Islamik (ISIS)...

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi sot se mediat e huaja “Daily Mirror” dhe “Corriere Della Sera” kanë spekuluar me artikujt e ditëve të fundit, ku thonë se islamikët e ISIS-it kontrollojnë drogën dhe armët në Shqipëri.
Madje, pak pasi dha këtë deklaratë, Ministria e Brendshme publikoi një letër që u ka shkruar këtyre dy mediave, duke i shprehur keqardhjen për shtrembërimet e realitetit shqiptar.
“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj. Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS-it apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur, duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”, shkruan ministri në letrën drejtuar Luciano Fontana të Corriere TV.
“Corriere Della Sera” në një reportazh të disa ditëve më parë shkruante se nga Shkodra trafikoheshin armë fillimisht drejt Malit të Zi, e më tej me destinacion grupet mafioze, ku nuk përjashtohej përfundimi i tyre në duart e ekstremistëve të ISIS-it.
Më tej, ishte “Daily Mirror” e cila në një shkrim të sajin theksonte se pas operacionit të policisë në vitin e kaluar, parcelat e drogës në Lazarat janë në pushtetin e ISIS-it.
LULJETA NDOKA
