Botë

Shengeni pranë kolapsit, Tusk: 2 muaj kohë për ta shpëtuar

20.01.2016 11:55

Shengeni mund të dështojë pas dy muajsh. Paralajmërimi vjen nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk...

Shengeni mund të dështojë pas dy muajsh. Paralajmërimi vjen nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili paralajmëron se shtetet anëtare kanë në dispozicion jo më shumë se 2 muaj për të menaxhuar krizën e refugjatëve. Dështimi, sipas tij, mund të rezultojë në kolapsin e traktatit për lëvizjen e lirë, të Shengenit.
 
Tusk tha gjithashtu se BE mund të "dështojë si projekt politik", nëse blloku me 28 anëtarë nuk do të kontrollojë si duhet kufijtë e tij të jashtëm. 
 
“Nuk kemi më shumë se 2 muaj kohë për të vënë situatën nën kontroll. Statistikat pas periudhës së Krishtlindjeve nuk janë inkurajuese me rreth 2 mijë emigrantë të ardhur në ditë në vendet e BE-së. Këshilli Evropian i muajit mars do të jetë momenti i fundit për të parë nëse strategjia jonë do të funksionojë. Nëse jo, do të përballemi me pasoja të rënda të tilla si kolapsi i Shengenit”- deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
 
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Ualter Steinmeier, thotë se mbyllja e kufijve të vendit me popullatën më të madhe të BE-së nuk do ta zgjidhë krizën e refugjatëve. Me këtë, Steinmeier reagoi ndaj një letre të disa zyrtarëve gjermanë që kërkojnë marrjen e masave të tilla. 
 
“Unë ju garantoj që një zgjidhje e krizës nuk do të arrihet duke mbyllur kufijtë. Rruga e vetme për të trajtuar valën e migrimit është zbatimi si duhet i programit të rishpërndarjes së refugjatëve, duke siguruar njëkohësisht edhe kufijtë e jashtëm”- tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Ualter Steinmeier.
 
Politikanët gjermanë po përballen me presion më të madh për ta menaxhuar krizën pas sulmeve  të Vitit të Ri në Këln, të cilat vunë në shënjestër gratë, e që sipas njoftimeve u kryen nga refugjatë afrikano-veriorë. Sulmet e nëntorit në Paris, të cilat u morën jetën 130 personave, kanë krijuar frikë se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe brenda në Gjermani. Kjo pas vërshimit të refugjatëve nga vende ku vepron "Shteti Islamik".
 
LEUNORA KALIQI