Botë
OKB: ISIS ka skllavëruar 3500 njerëz
20.01.2016 12:28
Grupi ekstremist, “Shteti Islamik”, i ka skllavëruar afro 3,500 njerëz në Irak, përfshirë gra dhe fëmijë, bën të ditur një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar mbrëmë...

Në raport theksohet se grupi ekstremist është përgjegjës për aksionet që mund të jenë “krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe me gjasë, gjenocid”.
“ISIS-i vazhdon t’i trajtojë femrat dhe fëmijët si subjekte të dhunës seksuale, veçanërisht në formën e skllavërisë seksuale”, thuhet në raportin e Misionit ndihmës të Kombeve të Bashkuara për Irakun dhe Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë dokument shkruhet se së paku 18,802 civilë janë vrarë nga dhuna në Irak prej janarit të vitit 2014 e deri në tetor të vitit 2015, ndërsa 36,245 civilë janë plagosur.
OKB-ja tha se dëshmitë janë marrë direkt nga viktimat, të mbijetuarit ose dëshmitarët e dhunës së të drejtave të njeriut.
