Terror në Pakistan, sulmohet universiteti, 30 të vdekur

20.01.2016 14:35

Disa persona të armatosur kanë hyrë në një universitet në veriperëndim të Pakistanit, duke hapur zjarr ndaj qindra studentëve që ndodheshin në godinë...

Deri më tani janë konfirmuar 30 viktima, por kjo shifër pritet të rritet, pasi forcat e sigurisë janë ende duke u përballur me sulmuesit.

"Dëgjuam të shtëna nga ana e pasme e kampusit universitar. Menduam ndoshta ishin përleshje mes disa personave. Më pas të shtënat u shtuan. Ne thamë ‘të shkojmë nëpër dhoma’. Mos dilni jashtë na thanë. Më pas erdhën forcat e sigurisë. Ata treguan heroizëm të madh. Ushtarët e armatës gjithashtu u treguan të shkathët dhe të fortë”- deklaroi studenti, Aizaz Khan.

Autoritetet kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën teksa operacioni për neutralizimin e personave të armatosur vijon. Një zëdhënës i ushtrisë ka konfirmuar se sniperat kanë qëlluar nga distanca, duke vrarë katër nga ekstremistët. Qeveria ende nuk ka etiketuar ndonjë grup përgjegjës për sulmin, por e ka cilësuar atë si një akt terrorist.

Ndërkohë, talibanët e Pakistanit e kanë marrë përsipër autorësinë, duke thënë se janë militantët e tyre ata të cilët kanë hyrë në ndërtesën e universitetit.

Në Universitetin “Bacha Khan” ndjekin studimet rreth 3000 studentë, të cilët sot ishin duke pritur rreth 600 vizitorë të cilët do të merrnin pjesë në recitalin poetik të organizuar nga universiteti.

Pakistani ka vrarë dhe arrestuar mijëra militantë të dyshuar në planin e sulmit terrorist, i cili u shndërrua në masakrën e fëmijëve shkollor të kryer në dhjetor të vitit 2014, në veriperëndim të Pakistanit. (Leunora Kaliqi, TVM2)