Maqedoni
Analistët në “Argument: Kriza nuk zgjidhet pa u përmbushur “Përzhina”
20.01.2016 15:24
24 prilli është caktuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por analistët thonë se deri në këtë datë ka shumë gjëra që nuk janë bërë ende...

Më kryesorja është pjesëmarrja në të e LSDM-së, e cila ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do të marrë apo jo pjesë në zgjedhjet që edhe në Marrëveshjen e Përzhinës janë caktuar të mbahen më 24 prill.
Por, po aq i rëndësishëm është edhe pastrimi i listave zgjedhore dhe çështja e mediave, kështu komentuan analistët e ftuar në emisionin “Argument” në TVM2. Profesori universitar, Mersim Maksuti, thotë se zgjedhjet e parakohshme varen edhe nga pastrimi i listës së votuesve.
Sipas Maksutit, Komisioni Evropian do të dalë me një strategji për mobilizimin e të gjitha institucioneve në pastrimin e listës zgjedhore.
“Secila palë të përkushtohet, të zbatojë në tërësi të gjitha obligimet që vijnë nga Marrëveshja e Përzhinës, por në të njëjtën kohë të mbetet dhe të përcillet pastrimi i pastër i listës zgjedhore, se në fund të fundit lista është problemi kyç se a do të kemi ne zgjedhje ku të gjithë palët do të marrin pjesë, ose nëse opozita nuk merr pjesë atëherë nuk kemi zgjedhje kredibile dhe nuk besoj se vendi do të shkojë në zgjedhje pa opozitën”- deklaroi analisti, Mersim Maksuti.
Analisti, Albert Musliu, thotë se nga thellimi i krizës politike vihet në pikëpyetje ftesa e Maqedonisë për fillim të bisedimeve për anëtarësim që Këshilli i Ministrave të BE-së duhet ta debatojë në qershor. Musliu thotë se për daljen nga kriza duhet të ofrohen kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
“Tejkalimi i krizës me mbajtjen e zgjedhjeve, në të cilat nuk merr pjesë opozita, është i pa mundur, sepse opozita është ajo që inicioi zgjedhjet. Do të kemi reagime edhe të Ambasadës së ShBA-ve. Besoj se edhe partnerët tanë evropianë do të reagojnë, se edhe ata janë të vetëdijshëm se kjo krizë nuk mund të përmbyllet nëse Marrëveshja e Përzhinës nuk përmbushet pikë për pike”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Por, analisti, Blerim Hyseni, një pjesë të përgjegjësisë për moskrijim të kushteve ia hedh edhe LSDM-së, e cila, sipas tij, është dashur të reagojë zëshëm dhe në kohë kur janë shkelur afatet e zbatimit të marrëveshjes politike. Hyseni konsideron se me ardhjen e sërishme të Hahnit muajin e ardhshëm në Shkup do të definohet data e zgjedhjeve.
“Kriza në Maqedoni ka filluar tash e një vit më parë dhe Marrëveshja e Përzhinës, që u nënshkrua më 15 korrik, tanimë ka gjashtë muaj dhe gjatë gjithë kësaj periudhe LSDM nuk ka qëndruar mbi kokë mbi pushtetin, duke e ditur se VMRO-DPMNE ka dhjetë vite në pushtet për respektimin e kësaj marrëveshje, por LSDM kam përshtypjen se dëshiron zgjedhjet t’i fitojë në tavolinë”- theksoi analisti politik, Blerim Hyseni.
Analistët vlerësojnë se me ardhjen e sërishme të paralajmëruar të komisionerit Hahn në Shkup do të definohen edhe çështjet që tani duken të paqarta, si pastrimi i listës zgjedhore dhe kthimi i opozitës në parlament. Por, ata janë të një mendimi. Në rast se dështon marrëveshja politike e arritur me ndihmën e BE-së, atëherë do të kërkohet ndërhyrja amerikane për t’i dhënë zgjidhje situatës.
MERAL ISMAILI
