Akuzat ndaj Shqipërisë, Llalla: Lazarati nuk ka lidhje me terrorizmin

20.01.2016 15:32

Një ditë pasi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mohoi lidhjen e terroristëve të ISIS-it me drogën e Lazaratit dhe trafikun e armëve, ka reaguar edhe prokurori i përgjithshëm për këtë çështje...

Edhe Adriatik Llalla e ka mohuar faktin se banorët e Lazaratit kanë financuar ISIS-in me paratë që kanë fituar nga kultivimi i hashashit. Sipas kryeprokurorit, shkrimet e botuara nga dy media prestigjioze italiane e britanike dëmtojnë rëndë imazhin e vendit në sytë e partnerëve të huaj.

“Çka u bënë indicie të shfrytëzoheshin edhe nga mediat e tjera ndërkombëtare. Këto lajme mediatike tashmë rezultojnë se në të dhënat që administron Prokuroria e Përgjithshme vijon që kjo situatë të jetë shqetësuese në disa zona të tjera të këtij qarku, hetim për të cilat institucioni i Prokurorisë vijonte hetimet, por nga ana juaj kërkojmë një bashkëpunim edhe më të frytshëm, si me institucionet e tjera ligjzbatuese, kryesisht me policinë e shtetit, qytetarët për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë autorët e këtyre veprave penale. Tashmë kjo analizë përkon me një moment tjetër të zhvillimit të gjykimeve lidhur me kultivimin apo trafikimin e lëndëve narkotike edhe pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Vetëm pak ditë më parë, pranë kësaj gjykate përfundoi shqyrtimi gjyqësor lidhur me një çështje penale ndaj një grupi të strukturuar kriminal, banorë të zonës së Lazaratit, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme tentuan të bllokonin veprimet e policisë së shtetit në operacionin antikanabis të 2014-tës në zonën e Lazaratit”- deklaroi prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Megjithatë, prokurori i përgjithshëm nuk e ka mohuar se ekziston ende fenomeni i kultivimit të drogës në Lazarat edhe pas operacionit të vitit 2014. “Corriere dela sera” dhe “Daily Mirror” shkruanin pak ditë më parë se “Shteti Islamik” kontrollon drogën dhe armët në Shqipëri, shkrime që kanë shkaktuar mjaft zemëratë në Tiranën zyrtare. (Luljeta Ndoka, TVM2)