Futboll

Prezantohet Gjimshiti: Te Atalanta për Kombëtaren

20.01.2016 16:48

Berat Gjimshiti prezantohet te Atalanta. Mbrojtësi 22-vjecar nis në këtë mënyrë një karrierë të re në Serinë A...

Berat Gjimshiti prezantohet te Atalanta. Mbrojtësi 22-vjecar nis në këtë mënyrë një karrierë të re në Serinë A, por si për të gjithë kuqezinjtë, edhe për të mbi të gjitha ky është viti i Europianit.

Ashtu si dhe shumë futbollistë të tjerë të Kombëtares Shqiptare Gjimshiti nuk ngurroi të deklarojë se në funksion të saj orientohet edhe zgjedhja e tij profesionale në karrierën me klubin, gjatë konferencës së prezantimit.  “Kërkoja një sfidë të re, kisha probleme me Zyrihun dhe më skadonte kontrata.

U lirova nga detyrimet me ta dhe pastaj vendosa të pranoja ofertën nga Bergamo, pasi ma këshilluan si De Biassi ashtu dhe Tramezzani. Këtë vit është Europiani dhe unë kërkoja një kampionat më kompetitiv se ai zviceran për të merituar grumbullimin me kombëtaren”.

22-vjecari më pas bën një prezantim më teknik për tifozët e tij të rinj në Itali.

“Jam një mbrojtës shumë agresiv në fushë, por i qetë jashtë saj. Më pëlqen shumë të avancoj përpara për të ndihmuar në goditjet në ajër në goditjet e këndit apo ato standarte. Zgjiodha numrin 55 pasi kam pasur gjithmonë 5-ën por ai ishte i zënë”.

Seria A është padyshim një kampionat ku Gjimshiti do të përballet me kundërshtarë shumë më të fortë nga ata që i ka rezervuar karriera deri më tani në Zvicër, por vetë mbrojtësi pret me padurim një sfidë mbi të gjitha.

“Lojtari i preferuar për mua kur isha i vogël ishte Zidane, ndërsa tani Ronaldo, pasi ësghtë shembulli se si arrihen synimet vetëm me punë. Këtu në Itali po pres me padurim të përballem me Pogbanë”.

Edhe pse mediat italiane bënë të ditur se transferimi i tij te Atalanta është realizuar për një shumë të leverdishme si pasojë e kontratës që i skadonte në qershor me Zyrihun, vlera e futbollistit që debutoi me Kombëtaren Shqiptare në barazimin pa gola me Danimarkën, vlera e kartonit të tij është kuotuar në 1 milion euro nga faqja e specializuar e transferimeve transfermarkt.de.