Maqedoni

Zbatimi i "Përzhinës", Orav: Ka raste kur ndjehemi të kërcënuar, por duam t'u ndihmojmë

20.01.2016 17:31

Prezantimi në Kuvend i programit dhe prioriteteve për punën e kryesimit të Holandës me Këshillin e Bashkimit Evropian...

Prezantimi në Kuvend i programit dhe prioriteteve për punën e kryesimit të Holandës me Këshillin e Bashkimit Evropian mbeti nën hijen e debatit rreth moszbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
Marrëveshja politike, e cila pretendon të demokratizojë vendin, siç duket po vë në rrezik vetë  përfaqësuesit ndërkombëtarë nga palët që bëjnë rezistencë kundër zbatimit të këtij dokumenti përmes fushatës mediatike.
 
Vetë euroambasadori, Aivo Orav, tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë që nga eurokomisari Han dhe deri te përfaqësuesi i tij në bisedime, Vanhote, shpeshherë janë të detyruar që të rrisin masat e sigurisë.
 
“Ndonjëherë ato fushata mediatike rezultojnë me kërcënime konkrete, kjo d.m.th. se në disa raste jemi të detyruar të rrisim sigurimin tonë”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
Megjithatë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, vlerëson se qeveria ka punuar në zbatimin e reformave emergjente, ndërkaq ftoi të gjitha subjektet politike që të zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinës.
 
“Sërish vlerësojmë se zbatimi i plotë i marrëveshjes politike dhe reformat emergjente do të jenë garanci që Komisioni, pas zgjedhjeve edhe një herë t’i rikthehet Maqedonisë me rekomandim për çeljen e bisedimeve”- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
 
Por, më ndryshe gjykon bashkëpartiakja e Besimit, Ermira Mehmeti. Sipas saj, qasja e qeverisë, por edhe qasja e Kuvendit ndaj këtij dokumenti është populiste dhe kundërthënëse. Madje, veprimi politik tanimë është gjysmëlegjitim, pasi Kuvendi ka marrë vendim për t’u vetëshpërndarë. 
 
“A ishte më me rëndësi që partitë politike të dakordohen se më 24 prill do të shkojnë në zgjedhje apo ideja ishte që deri më 24 prill të zbatojmë reformat dhe Raportin e Pribesë dhe të gjitha vërejtjet që janë numëruar në Marrëveshjen e Përzhinës dhe më pas të reflektuara në Raportin e Progresit”- theksoi kryetarja e KÇE-së, Ermira Mehmeti.
 
Sipas PDSh-së, ky pushtet është gjysmëlegjitim që nga zgjedhjet e 2014-ës, pasi përgjimet zbardhën krimin elektoral.
 
“Gjysmëlegjitimiteti i këtij parlamenti ka qenë prej zgjedhjeve të vitit 2014, sepse i tërë faktori ndërkombëtar tani e ka të qartë se ato zgjedhje kishin qenë të manipuluara dhe të falsifikuara”- u shpreh Orhan Ibrahimi nga PDSh.
 
Edhe ambasadori holandez, në emër të kryesimit me Këshillin e BE-së shprehu besimin se Maqedonia do të zbatojë reformat e nevojshme edhe pse zgjerimi nuk do të jetë prioritet.
 
Sipas tij, prioritet i BE-së gjatë kryesimit holandez do të jetë kriza me refugjatët, stabiliteti financiar, hapja e vendeve të reja të punës dhe ndryshimet klimatike.    
 
SHPËTIM NUREDINI