Saraj, vazhdon rinovimi i Sh. F.” Dituria”, Ademi: Investojmë në të gjitha komunat shqiptare
Shkolla Fillore “Dituria” në Saraj po i nënshtrohet një rekonstruimi të përgjithshëm. Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i shoqëruar nga funksionarë të tjerë të BDI-së, inspektoi punimet që po bëhen në këtë shkollë...

Ky investim, vlera e përgjithshme e të cilit arrin në 320 mijë euro, është i nevojshëm për ngritjen e cilësisë në arsim, vlerësuan ministri i Arsimit dhe kreu i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
“Deri më tani ka përfunduar ndërrimi i çatisë, ndërrimi i dritareve dhe po vazhdohet me fazën ose pozicionin e tretë, rregullimi ose ndërrimi i dyshemesë i të gjithë objektit. Investimi i përgjithshëm për renovimin e këtij objekti është 320 mijë euro, mjete të siguruara nga buxheti qendror në bashkëpunim me Komunën e Sarajit”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Rekonstruimi i kësaj shkolle ka qenë më se i nevojshëm, pasi që bëhet fjalë për një shkollë ku mësojnë një numër ndoshta më i madh në të gjithë territorin e Maqedonisë, një shkollë ku procesin edukativo-arsimor e ndjekin mbi 1200 nxënës dhe rekonstruimi është më se i nevojshëm”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Ministria e Arsimit dhe Komuna e Sarajit u zotuan se bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku përmenden ndërtimi i objektit të shkollës së mesme në Saraj, renovimi i sallës së sportit në Radush dhe instalimi i ngrohjes qendrore në fshatin Svillare.
Ministri Ademi premtoi se investimet nuk do të ndalen jo vetëm në Saraj, por do të vazhdojnë edhe më tej në të gjitha vendbanimet shqiptare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
