Maqedoni

Kufiri Greqi-Maqedoni, ndalohen migrantët që s’kanë destinacion final

20.01.2016 18:02

Në 24 orët e fundit u janë dhënë gjithsej 2.300 vërtetime shtetasve të huaj...

Migrantët më të shumtë janë shtetasit e Sirisë 1.441, Afganistanit 495 dhe Irakut 364. Deri te Sektori për Azil nuk janë dorëzuar kërkesa për njohjen e së drejtës së azilit, ndërsa nga janari e deri më tani janë dorëzuar pesë kërkesa të gjashtë minorenëve, prej të cilëve pesë nga Afganistani dhe një nga Siria.

Ndërkohë në kampin në Gjevgjeli 350 refugjatë janë ndaluar të vazhdojnë udhëtimin e tyre më tej në vendet e Ballkanit, një grup tjetër më i madh janë në Greqi pas kërkesës së vendeve evropiane për ndalimin e përkohshëm të të gjithë migrantëve që nuk kanë një destinacion përfundimtar.

Nga Ministria e Brendshme thonë se një kërkesë e tillë ka ardhur nga Sllovenia, por në të nuk është parashtruar ndonjë arsye konkrete për këtë ndalim të përkohshëm të emigrantëve pa destinacion përfundimtar, por thonë se ka një defekt në linjën e tyre hekurudhore, gjë që u pamundëson të pranojnë më shumë emirgantë.

Gjatë gjashtë muajve të fundit në Maqedoni kanë kaluar mbi 400 mijë refugjatë.

Por, paralajmërimet e shumë vendeve të BE-së, se do të vendosin kontrollin në kufijtë e tyre, kanë shtuar frikën në Maqedoni se çfarë do të bëhet me migrantët që veç më gjenden në kufij apo në kampet në vendin tonë. 

GAZMEND REXHEPI