Botë
Trafiku i emigrantëve, arrestime në Gjermani e Turqi
20.01.2016 20:16
Policia gjermane dhe ajo turke kanë kryer operacione masive në qytete të ndryshme në të dyja vendet në kuadër të trafikut të organizuar të klandestinëve...

Në qendër të operacioneve kanë qene grupet kriminale të trafikut të qenieve njerëzore që kanë dërguar me anije dhe barka të rrezikshme më shumë se 1700 refugjatë në Evropë.
Më shumë se 490 policë gjermanë kryen rreth 17 bastisje dhe kanë arrestuar pesë të dyshuar në gjashtë lande gjermane.
Autoritetet akuzojnë trafikantët se janë përgjegjës për vdekjen e klandestinëve, të cilët i trafikojnë drejt Evropës me barka që janë në shitje për skrap, apo me pilotë që nuk kanë bërë kurrë një punë të tillë. Bastisje të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të ndryshme të Turqisë, përfshirë Stambollin, Ankaranë dhe Mersin.
Në Turqi janë arrestuar 30 persona gjithsej dhe ky operacion ndërkombëtar kundër trafikantëve të klandestinëve ka për qëllim ndalimin e fluksit të klandestinëve, por edhe parandalimin e vdekjeve të tyre. Çdo emigrant paguan deri në 6 mijë euro për udhëtimin, i cili sipas shifrave ka pak garanci dhe shpesh përfundon me vdekje.
GAZMEND REXHEPI
