Botë

Parlamenti Evropian votoi MSA-në, Lunacek: Ky është akt historik për Kosovën

21.01.2016 15:57

Parlamenti Evropian votoi pro Marrëveshjes për Stabilizim Asocim në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian...

Parlamenti Evropian votoi pro Marrëveshjes për Stabilizim Asocim në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, gjegjësisht nga gjithsej 754 parlamentarë, 468 kanë votuar pro MSA-së për Kosovën.
 
Në lidhje me MSA-në, në Parlamentin Evropian është diskutuar të mërkurën, ndërsa votimi i sotëm ka qenë më shumë formal.
 
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila është edhe raportuese për Kosovën në këtë institucion të BE-së, ka thënë mbrëmë në fillim të debatit, se MSA-ja është një akt historik në raportet në mes të Kosovës dhe BE-së, si dokument i parë që rregullon raportet kontraktuale në mes të këtyre palëve.
 
Në debat ka marrë pjesë edhe komisioneri i BE-së për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn.
 
Ai ka thënë se kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë, ndërsa ka shprehur bindjen se ajo do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja, që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
 
Pas dhënies së pëlqimit nga ana e Parlamentit Evropian, marrëveshja do të kthehet përsëri në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku duhet të merret vendimi për përmbylljen e saj.
 
Më pas, pasi Kosova dhe BE-ja ta njoftojnë edhe formalisht njëra-tjetrën se kanë mbaruar procedurat përkatëse, atëherë pritet hyrja në fuqi e marrëveshjes, që sipas burimeve në BE pritet të ndodhë diku në prill apo në maj të këtij viti. 
 
LEUNORA KALIQI