Futboll

Mascherano dënohet me një vit burg për evazion fiskal

21.01.2016 16:19

Lojtari i Barcelonës Javier Mascherano është dënuar me një vit burg pasi është shpallur fajtor për evazion fiskal, sipas shtypit spanjoll...

E përditshmja “El Mundo” ka shkruar se argjentinasi është informuar për vendimin ditën e sotme pas paraqitjes së tij në gjyq, ndërsa ish-lojtari i Liverpool dhe West Ham do të jetë i detyruar të paguajë edhe një gjobë prej 815.000 eurosh.

Lojtari i kombëtares së Argjentinës ka pranuar se nuk ka deklaruar një vlerë prej 1,5 milionë eurosh të fituar gjatë 2011-ës dhe 2-12-ës. 31-vjeçari ka shumë mundësi të shmangë ndëshkimin me burg dhe të paguajë një gjobë të mëtejshme.

Në nëntor babai i yllit të Barcelona-s, Neymar, ka pranuar se djali i tij ndihej shumë “i pasigurt dhe i shqetësuar” në Spanjë pasi është nën hetim nga shteti spanjoll për evazion fiskal.