Basketboll

Golden State poshtëron edhe Chicagon, “OK” Cavaliers e Spurs

21.01.2016 16:21

Golden State vijon të dominojë në kampionat, duke mposhtur mbrëmë një tjetër skuadër pretendente për titull, si Chicago Bulls, me shifrat 125-94...

Suksesi i 39-të sezonal për kampionët dhe sërish protagonist ishte Stephen Curry, që realizoi 25 pikë e 11 asist. Nuk zhgënjyen as Thompson me 19 pikë e Barnes me 19, që bënë diferencën në fushë, ndërsa 29 pikët e Rose dhe 23 të Butler për Bulls mbetën për statistikë. 
 
Rikthehet te suksesi Cleveland, që mposhti 91-78 Brooklyn, duke triumfuar jashtë fushe. Love me 17 pikë e 18 rebaund si dhe LeBron James me 17 pikë bënë diferencën në fushë, duke i dhënë Cavaliers suksesin e 29-të sezonal.
 
Tjetër ndeshje e mirë për Oklahomën, skuadra e tretë në renditje në Perëndim, që mundi 109-95 Charlotte, ku sërish protagonist ishte Kevin Durant me 26 pikë. Vijon moment negative i Miami, që u mund 106-87 nga Washington, ku 18 pikët e Bosh nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Edhe Wall e Beal realizuan nga 18 pikët për vendasit, që e merituan fitoren. 
 
Pa problem fiton jashtë fushe Sacramento, që mundi 112-93 Lakers. Mbrëmje magjike për Cousins, autor i 36 pikëve e 16 rebaund, ndërsa Bryant e mbylli me 15 pikë. Detroit mposht 123-114 Houston në fushën e këtij të fundit, në një ndeshje spektakolare. Pope e Morris realizuan secili nga 22 pikë për miqtë, ndërsa Harden realizoi 33 pikë, 17 rebaund e 14 asist, por që s’mjaftuan.