Maqedoni

Johanes Han: Në shkurt do të kthehem në Shkup

21.01.2016 16:28

Komisioneri i BE-së për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han, përmes një postimi në rrjetet sociale ka përshëndetur vendimin e mbrëmshëm të LSDM-së...

Komisioneri i BE-së për zgjerim dhe politikë fqinjësore,  Johanes Han, përmes një postimi në rrjetet sociale ka përshëndetur vendimin e mbrëmshëm të LSDM-së opozitare për të vazhduar pjesëmarrjen e tyre në Qeveri dhe për të vazhduar të kontribuojë në zgjidhje të krizës politike.
 
Komisioneri Han në profilin e tij në Twitter njoftoi se në Shkup do të kthehet në shkurt për të kontrolluar punën e përgatitjes së zgjedhjeve me KShZ-në dhe komunitetin ndërkombëtar.
 
“Ne mirëpresim hapat e para të marra nga ana e opozitës për të qëndruar të përfshirë në proces. Është e nevojshme që të bëhen hapa të shpejtë dhe përpjekje serioze edhe partitë në pushtet sa i përket pastrimit të listës zgjedhore, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe reformave në media. Bashkëpunimi konstruktiv i të gjitha palëve është e vetmja mënyrë për të siguruar zgjedhje të drejta dhe demokratike. Puna tani duhet të përshpejtohet”, ka shkruar komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
 
SANIJE KASAMI