Botë

Kerry në Forumin Ekonomik në Zvicër: Bisedimet për Sirinë mund të shtyhen

21.01.2016 16:43

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, pak para se ta fillojë takimin e tij me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu...

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, pak para se ta fillojë takimin e tij me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Forumin Ekonomik Botëror sot në Zvicër ka thënë para gazetarëve se bisedimet e parapara për javën e ardhshme në mes të përfaqësuesve të qeverisë siriane dhe grupeve opozitare ka gjasë që të shtyhen “një ditë ose dy”, dhe kjo do të bëhet në mënyrë që t'u dërgohen ftesat pjesëmarrësve në bisedime.
 
Mëngjesin e sotëm, Kerry është takuar me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i cili është i thirrur për ta bindur Qeverinë siriane dhe grupet opozitare që të marrin pjesë në bisedime.
 
“Kur themi shtyrje, kjo mund të marrë një ditë ose dy ditë për dërgimin e ftesave, por nuk do të jetë një shtyrje fondamentale. Procesi do të nisë më 25 janar dhe palët do të jenë së bashku për të parë se ku jemi”- deklaroi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. 
 
Gjatë ditës së djeshme, pikërisht për këtë çështje, Kerry është takuar me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.“Ne nuk kemi synime për t’i shtyrë bisedimet nga janari në shkurt”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. 
 
Nga ana tjetër kryeministri turk, Ahmet Davutogllu, ka akuzuar Rusinë dhe regjimin sirian të cilët, sipas tij, nuk e luftojnë ISIS-in, por opozitën e moderuar. 
 
“Në veçanti regjimi sirian dhe aeroplanët rus po sulmojnë opozitën e moderuar. Kjo është një sfidë e madhe. Së pari ka nevojë për një konsensus ndërkombëtar për angazhimi dhe koordinim në luftën tonë kundër terrorizmit. Brenda Turqisë ne jemi duke bërë shumë operacione, në mënyrë që ata nuk do të mund të depërtojnë në Turqi”- tha kryeministri turk, Ahmet Davutoglu. 
 
Ai  shtoi se kontrolli i kufirit si dhe bashkëpunimi i inteligjencës me të gjithë aleatët dhe vendet është duke shkuar shumë mirë, pavarësisht nga kjo, ka pasur disa sulme dhe ka nevojë të bëhet më shumë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
 
GAZMEND KURTISHI