Maqedoni

Prokuroria Speciale, Shilegov: Qeveria dhe Kuvendi bëjnë obstruksione; Jashari mbron veten dhe Ministrinë e Drejtësisë

21.01.2016 16:54

Opozita maqedonase akuzon qeverinë dhe shumicën parlamentare se po vazhdon të bllokojë punën e prokurores speciale...

Prokuroria nuk ia del të ekipohet shkaku i obstruksioneve që po ia bën qeveria me zvarritjen e ligjeve, ndërsa të punësuarit nuk kanë marrë pagat për muajin dhjetor, akuzoi deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.   
 
“Z. Ministër, ju jeni i obliguar personalisht që t’i mundësoni organit të quajtur Prokurori Speciale për ndjekjen e veprave penale të lidhura me përgjimet që të funksionojë. Ajo që ju po bllokoni ligjin për dëshmitarë të mbrojtur është përgjegjësia e juaj personale. Ajo që z. Veljanovski nuk e vendos në rend dite programin për financim të Prokurorisë Publike, me procedurë të shpejtë ose të shkurtuar, është përgjegjësia e tij. Hajdeni të locojmë përgjegjësitë që të mund të flasim për nivelin e implementimit. Njerëzit në Prokurorinë Speciale nuk kanë marrë rroga për muajin dhjetor”- deklaroi deputetii i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Mirëpo ministri i Drejtësisë hodhi poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë nuk është propozuese e Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, që ka mbetur në procedurë qeveritare, por vetë qeveria.        
 
“Çështja e parë është çështja e përcaktimit të kompetencave të prokurores speciale, çështje që është përcaktuar me ligj dhe atë ligj ju e keni miratuar, ju e keni propozuar, por është një e vërtetë që ju ndoshta nuk e dini se unë kam punuar në atë ligj, jo si ministër, por si profesor. Çështja që ka të bëjë me Ligjin për dëshmitarë të mbrojtur është çështje që lidhet përsëri me prokuroren speciale dhe Ministria e Drejtësisë nuk është propozuese, propozuese është qeveria. Dhe nëse ju fajin e drejtoni tek unë si Adnan Jashari, besoj se gaboni”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Ndërkohë, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për nëpunës në Prokurorinë Publike për ta harmonizuar me Ligjin për nëpunës administrativ, me të cilin hiqet kushti për të parashtruar certifikatë Aptis, për të dëshmuar njohjen e gjuhës angleze, si dhe pezullohen masat për efekt të shkëlqyer dhe efekt të dobët.
 
SHPËTIM NUREDINI