Akuzat e RDK-së, reagon Komuna: Akuza tendencioze, përfitojnë në kurriz të fëmijëve
Ndaj akuzave të RDK-së ka reaguar Komuna e Gostivarit, e cila thotë se procedura tenderike është kryer me kohë...

Ndaj akuzave të RDK-së ka reaguar Komuna e Gostivarit, e cila thotë se procedura tenderike është kryer me kohë dhe operatori kryesor është zgjedhur sipas kritereve të paracaktuara me Ligjin për furnizime publike.
“Kontrata me operatorin kryesor është nënshkruar me datën 19 janar 2016. Për shkaqe teknike nga ana e operatorit kryesor, në ditën e parë të fillimit të procesit arsimor të gjysmëvjetorit të dytë shkollor janë hasur mangësi në realizimin e transportit publik të nxënësve. Pas marrjes së masave, nga dita e hënë do të vijohet me transportin e rregullt, sipas kontratës së nënshkruar me operatorin kryesor thonë nga Komuna e Gostivarit, duke kërkuar ndjesë për situatën e krijuar. Nga kjo komunë thonë se RDK po shfrytëzon këtë situatë për pikë politike ditore. Komuna e Gostivarit përkujton RDK-në për investimet në shkollat publike, duke shtuar se arsimi publik në Komunën e Gostivarit në asnjë periudhë nuk ka njohur investime të tilla të rëndësishme dhe kapitale. Çdo akuzë nga ky subjekt politik konsiderohet tendencioz dhe me motive për të përfituar politikisht pa ndonjë argument të shëndoshë”, thuhet në reagimin e komunës së Gostivarit pas akuzave të RDK-së.
