Maqedoni

Vendimi i LSDM-së, BDI e vlerëson si të duhur në kohën vendimtare

21.01.2016 17:37

Partitë reagojnë me rastin e vendimit të LSDM-së për të mbetur pjesë e qeverisë teknike deri më 24 shkurt...

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përshëndet këtë vendim, duke theksuar se të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë për tejkalimin e çështjeve të fundit para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
 
“Qytetarët çmojnë gatishmërinë dhe vendosmërinë e politikanëve dhe partive politike për të marrë vendime të guximshme në interes të vendit dhe prandaj ky vendim ishte vendim i vetëm i duhur në këtë kohë vendimtare. Ne mbetemi të përkushtuar tërësisht për ta ndihmuar përgatitjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme, si dhe për t’i përmbyllur menjëherë edhe ato pak çështje të hapura”, vlerëson lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Nga VMRO–DMPNE, duke komentuar vendimet e Këshillit Qendror të LSDM-së, theksojnë se Maqedonia duhet të ecë përpara dhe të mos mbetet peng i krizës politike.
 
“Shteti, e ardhmja e shtetit dhe ardhmëria e qytetarëve nuk guxon të varet nga egoizmi, destruktiviteti dhe shkurtpamësia e disa personave të opozitës. Agoninë duhet ta lëmë pas nesh. Presim që LSDM, si parti e cila udhëheq MPB-në dhe ka rol vendimmarrës në KShZ, institucione të vetme nga të cilat varen zgjedhjet, të jep kontributin e vet në organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike dhe të mos e ngadalëson procesin shkaku i frikës nga përballja me qytetarët”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
ERSAN PAJAZITI