Botë

Fundosen dy anije në Egje, të paktën 42 emigrantë kanë humbur jetën

22.01.2016 15:14

Në njërën barkë të fundosur në ishullin vogël grek, Kalymnos, kanë humbur jetën 34 persona, përfshirë 11 fëmijë...

Rojet bregdetare kanë arritur të shpëtojnë 26 persona. Organet greke shprehin shqetësimin se numri i viktimave mund të rritet, pasi, sipas të shpëtuarve, në barkën e mbytur thuhet se ndodheshin nga 70 deri në 100 persona.

Po ashtu roja bregdetare greke ka njoftuar se një anije me 48 udhëtarë është fundosur herët në mëngjes afër ishullit Farmakonisi. Shtatë trupa të pajetë janë gjetur, ndërsa udhëtarët e tjerë kanë shpëtuar.

Në mesin e viktimave janë 6 fëmijë dhe një grua, ndërsa roja bregdetare ka arritur të shpëtojë një vajzë, derisa 40 persona të tjerë ishin në gjendje t’i afrohen vet bregut.  

Mijëra persona, shumica nga Siria e shkatërruar nga lufta, por edhe nga Iraku, Afganistani dhe vendet tjera kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme nëpër Egje, me qëllim që nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe vendeve tjera të rajonit të arrijnë në vendet e BE-së, por rreth 700 persona kanë përfunduar në det si pasojë e stërmbushjes së anijeve.

BELINDA KOKA-ADEMI