Botë
Veseli: Do të dialogojmë me opozitën; Opozita: protesta më 17 shkurt në Prishtinë
22.01.2016 16:57
Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh sot, por nuk caktoi seancën e radhës...

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet në shkurt. Veseli tha se seanca do të ketë, por do të ketë edhe dialog politik me opozitën.
“Do të ketë seanca, do të ketë në vazhdim. Në të njëjtën kohë do të ketë edhe dialog politik. Veçanërisht qytetarëve me ju dërguar pasqyrë jo të traumatizimeve që kanë ndodhur vitin e kaluar, por të një mirëkuptimi dhe përgjegjësie, sepse e kemi obligim para njerëzve që na kanë besuar ne me qenë këtu ku jemi”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
E vetmja gjë për të cilën pranon të dialogojë aktualisht opozita është caktimi i datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, deklaroi Aida Dërguti nga Lëvizjes Vetëvendosje.
“I vetmi dialog i mundshëm që do të duhej të ishte tani është për caktimin e datës së zgjedhjeve”- tha Aida Dërguti nga Lëvizjes Vetëvendosje.
Madje, opozita ka caktuar edhe protestën e radhës më 17 shkurt me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve.
“Më 17 shkurt, në ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ftojmë në protestë gjithëpopullore, duke ftuar gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që më 17 shkurt, në orën 14, në sheshin e Prishtinës të bashkohemi në mbrojtje të republikës, në mbrojtje të kushtetutës dhe në kërkesën tonë për dorëheqjen e kësaj qeverie, e cila është shkelëse e kushtetutës”- theksoi Fatmir Limaj-NISMA.
Protestat e opozitës filluan me kërkesën për tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e arritura nga Qeveria e Kosovës, për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se marrëveshja për asociacionin nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës, opozita po kërkon edhe dorëheqjen e qeverisë.
GAZEMD REXHEPI
