Maqedoni

Han vjen në Maqedoni nga mesi i shkurtit, Trajanov ngrit procedurë në kushtetuese

22.01.2016 17:27

Eurokomisari për negociata për zgjerim, Johanes Han, për vizitë në Maqedoni do të vijë nga mesi i muajit të ardhshëm...

Një gjë të tillë tanimë e kanë konfirmuar nga KE.  
 
"Ne i përshëndesim shumë hapat e parë të ndërmarra nga ana e opozitës, që të mbesin të përkushtuar. Gjithashtu përpjekje serioze shpejtë duhet të bëhen nga ana e partive qeveritare për listën zgjedhore, për Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe reformat në media. Bashkëpunimi konstruktiv i të gjitha palëve është rruga e vetme për përparim, që të sigurohen zgjedhje korrekte dhe demokratike. Puna tani duhet të përshpejtohet. Unë do të kthehem në Shkup kah mesi i shkurtit, ta shqyrtoj përparimin në përgatitjet për zgjedhjet së bashku me Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Bashkësinë Ndërkombëtare", porositi Han në kumtesën e shkruar të dërguar mbrëmë. 
 
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Maqedonisë e drejtuar nga deputeti, Pavle Trajanov, ka ngritur procedurë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e shumicës parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit. Trajanov konsideron se: 
 
“Ky vendim jo vetëm që ishte i panjohur në historinë e punës së kuvendeve, por me të është shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetuta e Maqedonisë, përkatësisht neni 63, pika 3, ku theksohet se zgjedhjet për deputetë në Kuvend mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit ose në afat prej 60 ditësh nga dita e shpërbërjes së Kuvendit”.
 
Ndryshe, vendimi për shpërbërjen e kuvendin u miratua në fillim të kësaj jave, ndërsa do të hyjë në fuqi më 24 shkurt.
 
NAIM RAMADANI