Maqedoni
Shërbimet sekrete duhet të japin llogari, DCAF: Ligje të qarta dhe mbikëqyrje
22.01.2016 17:53
Maqedonia duhet të qartësojë me ligj mandatin, veprimtarinë, kompetencat, por edhe mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit...

Në vendet demokratike, shërbimet sekrete duhet të japin llogari për punën e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e rekomandimeve të Qendrës për Siguri, Zhvillim dhe Drejtësi (DCAF), pas debateve në nivel ekspertësh mes komisioneve parlamentare për mbikëqyrje të DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim.
“Sa i përket legjislativës, ligjet duhet të përcaktojnë mandat dhe kompetenca të qarta të shërbimeve në relacion me shërbimet e sigurisë dhe zbulimit dhe procedurave për autorizim për ndjekje. Ligji gjithashtu duhet të caktojë mandat dhe kompetenca të sakta të trupave për mbikëqyrje, përkatësisht komiteteve, në rastin konkret. Qartësia për atë se kush dhe çka kontrollon nga ana e komisioneve është me rëndësi thelbësore”- deklaroi Mark Remilard nga QKFA (DCAF).
Sipas deputetit të PDSh-së, Ernad Fejzullahu, keqpërdorimi i shërbimeve është trashëguar nga ish-sistemi dhe zakonisht është shfrytëzuar si kamxhik kundër shqiptarëve deri në likuidime.
“Është fakt se tash shpërthej kjo aferë e përgjimit, por kjo sa u përket shqiptarëve nuk është diçka e re, por është edhe një argument plus në mënyrë që t’i qasen, përfundimisht të largohet ky mentalitet, të cilin e kanë të trashëguar nga ish-sistemi, ku agjencitë apo shërbimi sekret, policia, është si kamxhik në dorën e një etnikumi kundër një etnikumi tjetër”- tha Ernad Fejzullahu nga PDSh.
Ndërkaq, deputeti i LSDM-së, Vasko Kovaçevski, vlerëson se shërbimet janë shfrytëzuar nga partitë në pushtet për të zgjatë jetëgjatësinë e tyre në drejtimin e shtetit.
“Në vendin tonë, pushteti aktual nuk respekton as procedurat ligjore dhe as procedurat e sigurisë, vetëm duke dashur të vendoset nga pozita e forcës të imponojë sistem qeverisjeje që dëshiron të zgjaste shumë më shumë sesa zgjati deri më tani. Mirëpo publikimet nga ana e opozitës i dëshmuan se jo vetëm opinion vendas, por edhe ai ndërkombëtar duhet që t’ia zënë rrugën parregullsive të tilla dhe procedurave jashtëligjore”- theksoi Vasko Kovaçevski nga LSDM.
Por, deputeti i shumicës parlamentare, Pavle Sazdov, fajin ia hedh mungesës së kulturës së sigurisë dhe mosbesimit të ndërsjellë të anëtarëve të trupave mbikëqyrëse.
“Në RM kemi problem me nivelin e ulët të kulturës së sigurisë dhe kjo ndodh edhe te deputetët. Kemi problem me nivelin e ulët të besimit të ndërsjellë, mes deputetëve, anëtarë të këtyre komisioneve, njëkohësisht kemi edhe nivel të ulët të bashkëpunimit kur bëhet fjalë për çështje nga fusha e mbikëqyrjes”- theksoi Pavle Sazdov nga VMRO-DPMNE.
Puna e shërbimeve sekrete dhe mbikëqyrja e tyre nga Kuvendi janë në shënjestër të opinionit vendas dhe ndërkombëtar që nga skandali i përgjimeve të paligjshme.
Nevoja për reformim të organeve të sigurisë dhe zbulimit është konstatuar edhe në Raportin e Pribesë edhe në Raportin e KE-së, ndërkaq katër partitë më të mëdha parlamentare janë dakorduar dhe kanë hedhur firmën në marrëveshjen politike të dy qershorit se do ta zbatojnë këtë reformë.
SHPËTIM NUREDINI
