Kulturë
Promovohet libri “Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare”
22.01.2016 18:12
Me rastin e 100 vjetorit të rënies së heroit kombëtar, Isa Boletinit, dhe ngritjes së shtatores së tij në Komunën e Sarajit...

Me rastin e 100 vjetorit të rënies së heroit kombëtar, Isa Boletinit, dhe ngritjes së shtatores së tij në Komunën e Sarajit, u promovua libri “Isa Boletini në lëvizjen kombëtare shqiptare”.
Ky libër ka në vete të përmbledhur kumtesa dhe materiale nga konferenca shkencore e mbajtur më 5 qershor 2015 në Prishtinë.
Për figurën e Isa Boletinit ka ende shumë punë për të bërë dhe arkivi na rezervon ende fakte kuptimplota, thonë historianët.
“Botimi i kësaj përmbledhje shkencore padyshim se do të jetë mbrojtëse e vlerave tona të përbashkëta, duke i përçuar të njëjtat tek gjeneratat e ardhshme. Shkupi në 100 vjetorin e rënies po e jetëson përgjithnjë këtë figurë të madhe të atdhetarizmit shqiptar”- deklaroi drejtori i ITKShShK-së, Skender Asani.
“Ky botim si pjesë kontributore reale në historiografi është shtytës hulumtimesh e gjurmimesh të reja si element thelbësor i potencës dhe kërkimit shkencor të cilat pa dyshim do të shpijnë përpara në gjykime dhe përfundime më të avancuara në studimet shkencore historike”- tha drejtori i Institutit të Historisë- Prishtinë.
Jeta dhe vepra e Isa Boletinit ka qenë e lidhur ngushtë me Shkupin dhe shqiptarët e këtyre anëve dhe kështu do të jetë gjithmonë, tha me këtë rast nipi i tij, Gazmend Boletini.
“Kjo ditë është një nga ditët më të veçanta për gjithë ne, për arsye se figura e Isa Boletinit po e bashkon edhe historinë, normalisht edhe botimi që ka dalë sot është një nga botimet më të mira që ka dalë ndonjëherë për figurën e Isa Boletinit. Me rastin e 100 vjetorit të tij, prapë ngjallet frymëzimi patriotik si një Shqipëri dje, duke kujtuar jetën dhe veprën e tij dje në Kosovë dhe sot në Shkup”- theksoi nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini.
Ndërsa kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, tha se vlerësimi dhe kujtimi për figurat e mëdha të kombit është obligim i përhershëm i të gjithë ne.
“Vepra e tij ishte udhërrëfyes për gjenerata të tërë që nga rezistenca pasive e deri në luftërat e fundit çlirimtare të shqiptarëve në Ballkan, të cilët e ndryshuan rrënjësisht pozitën tonë politike dhe kushtetuese”- u shpreh kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Nesër në Komunën e Sarajit pritet që të vendoset shtatorja e patriotit të shquar shqiptar, Isa Boletinit.
SANIJE KASAMI
