Botë
Erdogan: Nuk do të tolerojmë manovra ushtarake në kufirin tonë me Sirinë
22.01.2016 20:40
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot deklaroi se Turqia nuk do të tolerojë mbajtjen e çfarëdo manovrave në Siri në afërsi të kufijve të saj...

"Nga vet fillimi theksuam se nuk do të tolerojmë prani të njësive (ushtarake) në zonën e kufirit (sirian) me Irakun deri te Deti Mesdhe", deklaroi Erdogan pas lutjes së të premtes.
Paralajmërimi i tillë i Erdoganit vijoi pas informatave të shpeshtuara në kohë të fundit për praninë e ushtarëve rusë në aeroportin e qytetit Kamishli në Sirinë verilindore, afër kufirit siriano-turk.
"Ne jemi shumë të ndijshëm për këtë çështje", tha Erdogan, duke paralajmëruar se për këtë do të bisedojë edhe me nënpresidentin amerikan, Xho Bajden në takimin e tyre të nesërm në Stamboll.
Qendra siriane për monitoring të të drejtave të njeriut para disa ditëve kumtoi se "disa dhjetëra" ushtarë rusë dhe inxhinierë janë vërejtur "ditëve të fundit" në aeroportin në Kamishli.
Sipas Erdoganit, bëhet fjalë për rreth 200 ushtarë rusë të cilët janë stacionuar në Kamishli, qytet ku shumica e banorëve janë kurdë dhe i cili është nën kontroll të forcave lokale kurde, lojale të autoriteteve në Damask.
Gazeta "Huriet" publikoi se në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë në anën turke të kufirit në rajonin Kamishli, Armata e Turqisë dje ka hapur istikame rreth zonës së minuar përgjatë linjës kufitare me Sirinë.
Kriza në marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë filloi pas incidentit më 24 nëntor të vitit të kaluar, kur aeroplani-gjuetar rus Su-24 M u rrëzua nga Aviacioni ushtarak turk. Sipas pohimeve të Ankarasë, aeroplani e ka shkelur hapësirën ajrore turke, gjë që Ministria ruse e Mbrojtjes kategorikisht e mohon.
Në konfliktin në Siri, Rusia i përkrah autoritetet në Damask, ndërsa Turqia opozitën e matur dhe insiston në largimin e Asadit nga pushteti./mia
