Siri, rreth 44 të vdekur

23.01.2016 15:28

Një seri e gjuajtjeve nga ajri përgjatë 24 orëve të fundit ka lënë të vdekur dhjetëra persona në provincën e Raqqa dhe Deir al-Zor në veri dhe lindje të Sirisë, zona të cilat kryesisht janë të kontrolluara nga Shteti Islamik...

Raportohet për 44 persona të vdekur nga sulmet nga ajri, të cilat janë duke u zhvilluar nga aviacioni Rus dhe Sirian. 

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shfaqur besimin se bisedimet për paqe në Siri do të mbahen javën e ardhshme në Gjenevë.

Kerry i ka bërë këto komente në Riad të Arabisë Saudite, ku planifikon të takojë zyrtarë të grupeve opozitare të Sirisë.

Përpjekjet për bisedime janë komplikuar edhe për shkak të tensionimit të marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Iranit, dy superfuqi rajonale që mbështesin palë të kundërta në konfliktin e Sirisë. Situata mes tyre është përkeqësuar në fillim të këtij muaji, kur Arabia Saudite ka ekzekutuar klerikun e njohur shiit, Nimr al-Nimr, i cili ka nxitur protesta kundër Qeverisë saudite.

Në përgjigje të ekzekutimit, protestuesit në Teheran kanë sulmuar ambasadën saudite, duke bërë që Riadi dhe disa aleatë të tij të reduktojnë ose ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Iranin.