Saraj, u vendos përmendorja e heroit, Isa Boletini
Me rastin e shënimit të njëqind vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Isa Boletini, në Sheshin e Flamurit në Saraj të Shkupit sot u vendos përmendorja e këtij heroi....

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se rrugën që bëri Isa Boletini 100 vjet sot arriti në Shkup. Ai tha se nuk vritet ideali i Isës sepse ai erdhi me Ademin e Hasanin të cilët do të nderohen deri sa të ekzistojë shqiptaria dhe dielli.
Nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini tha se Shkupi për ata që sot nuk janë gjallë ka qenë vatra e tyre .
Kryetari i SHVL-UÇK Fazli Veliu theksoi se me vendosjen e kësaj figure Shkupi është shumë më afër Kosovës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri u shpreh se shtatorja e Isa Boletinit është ngritur në kryeqytetin e shqiptarëve.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët e Komunës së Sarajit.
Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar Isa Boletini është donacion nga shoqata “Vatra” e Dërvenit, ndërsa u realizua në Shqipëri nga skulptori Idriz Balani. Gjatë këtij manifestimi u ngrit edhe një flamur gjigand kombëtar në afërsi të këtij sheshi. (Besim Abdullahi, TVM2)
