Fill befason në Kitzbuehel, Vonn me rekord të ri
Italiani Peter Fill, është fitues i sivjem i garës më prestigjioze në botë, lëshimit në shtegun legjendar në Kitzbuehel të Austrisë...

Veteran 34 vjeçar, regjistroi vetëm fitoren e dytë në karierën e tij, duke triumfuar me një rrëshqitje pothuajse të përkryer dhe kohë prej 1:52.37.
Në pozitën e dytë u ndal zvicërani Beat Feuz, me ngecje prej 37 të qindtat, ndërsa diç më tepër se gjysëm sekonde ishte më I ngadalshëm një tjetër zvicëran, Carlo Janka, që u ngjit në piadestal nga pozita e tretë.
Lëshimin e sivjet në Kitzbuehel e karakterizuan shumë probleme me motin, por edhe përplasja e rezikshme e vendasit Georg Streitberger, që I detyroi organizatorët të ndërprejnë garën për një kohë të gjatë. Të njejtën, nuk arriti ta përfundoj lideri në rënditjen e përgjithshme dhe ate të lëshimit, Aksel Lund Svindal.
Norvegjezi, në lëshim ka tubuar 436 pikë, 145 më shumë se I dyti Peter Fill, ndërsa në rënditjen e përgjithshme, ka 916 pikë, 107 më shumë se tekniku austriak, Marcel Hirscher.
Te femrat, Lindsey Vonn arriti rekord të ri, sa I përket fitoreve në disiplinën e lëshimit, me fitoren në garën e sotme, në Cortina d`Ampezzo të Italisë. Vonn, në shtegun italian regjistroi fitoren e saj të shtatë sivjet, të 37-tën në lëshim apo gjithsej të 74-tën në karierë, me kohë prej 1:37.01, njëherësh duke e vërtetuar epitetin e mbretëreshës të disiplinave të shpejta.
Në vendin e dytë, me ngecje prej 28 të qindtat, u ndal Larisa Jurkiw nga Kanadaja, ndërsa në piadestal, nga pozita e tretë, u ngjit edhe zvicëranja Lara Gut. Gut, prinë në rënditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, me 810 pikë të tubuara, dhjetë më shumë se e dyta Lindsay Vonn, e cila është më e mira në disiplinën e lëshimit, me 400 pikë, 122 më shumë se Larisa Jurkiw. (Mustafa Ademi, TVM2)
