Prilep, shpërthimi i një bombole në një ndërtesë, shtatë të lënduar

24.01.2016 15:23

Shtatë persona janë lënduar, prej të cilëve një zjarrfikës, mbrëmë pas shpërthimit të një bombole gazi në një ndërtesë në Prilep...

Nga zjarri i shkaktuar pas shpërthimit të bobolës janë djegur gjashtë banesa. Sipas rrëfimit të njërit nga banuesit Nikolla Çevreski, gjithçka ka filluar në banesën e tij kur ngrohësja e gazit është djegur.

"Ngrohësja e gazit u dogj. Më kapi paniku dhe nuk mundesha assesi të gjindem, ta shuaj. Bombolën e nxorra në korridor të ndërtesës. Pastaj vetëm shpërtheu zjarr dhe shpërtheu dhe nuk di asgjë. Gruaja ime është lënduar dhe tani është në spital" – tha Nikolla Çevreski, pronar i banesës.

Zjarri i ka kapluar edhe banesat e rrethinës. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë ekipet e shërbimit zjarrfikës dhe ndihmës urgjente mjekësore, të cilët i kanë nxjerrë banuesit nga ndërtesa dhe i kanë dërguar  në spitalin e Prilepit. Sipas komandantit të njësitit zjarrfikës Stanko Koleski, kanë mbërritur menjëherë pas shpërthimit të bombolës.

"Kur mbërritëm kishte shpërthim të bombolës së gazit. Zjarri u përhap në banesat e rrethinës. Nuk kishte ndonjë dëm të madh material, por u dogjën gjashtë banesa", thotë komandanti i njësitit zjarrfikës, Stanko Koleski.

Dy të lënduar më rëndë janë pranuar në repartin kirurgjik, ndërsa banuesit e tjerë të banesës të cilët kanë thithur tym, janë hospitalizuar në repartin intern.

“Tek ne në repartin kirurgjik janë sjellë dy persona, njëri zjarrfikës, i cili kishte të djegur në duar, ndërsa tjetri person është grua më e moshuar me të djegura më të lehta. Pacientët e tjerë të cilët kanë thithur tym janë dërguar në repartin intern” – deklaroi dr. Gordana Joshiq, nga reparti kirurgjik – Prilep.

Qytetarët e lënduar i vizitoi edhe kryetari i komunës së Prilepit, Marjan Risteski. Hetimi duhet të tregojë se si saktësisht është shkaktuar zjarri. (Adnan Hajdari, TVM2)