“Lumi” i refugjatëve nuk ndalet, marshimi edhe mes të ftohtit

24.01.2016 16:37

Pasi Sllovenia dhe Kroacia prezantuan procedura të reja për menaxhimin e refugjatëve, tani kontrollet në kufi janë bërë më të rrepta dhe transporti i tyre është organizuar në mënyrën që do të parandalojë grumbullimet e shumta apo të tjera incidente...

Fakti se Europa i ka hapur dyert për të gjithë ata të cilët vijnë nga luftërat në Irak, Siri apo Afganistan, ka bërë që këta persona ta marrin të mirëqenë faktin se Unioni do t’i strehojë, ndaj edhe rrugëtimi i azilantëve vijon me po të njëjtat ritme si në vitin e shkuar.

Pas kalimit nga Greqi përmes Maqedonisë, në rrugëtimin e tyre drej BE-së, ata fillimisht regjistrohen në  qendrën e pritjes në Preshevë, dhe më pas  dërgohen në Sid, një qytet të vogël kufitar rreth 100 kilometra në perëndim të Beogradit, ku marrin trenin për në Kroaci.

Moti i ashpër ka rritur numrin e sëmundjeve në mesin e refugjatëve, veçanërisht tek fëmijët dhe të moshuarit, por shumica e tyre refuzojnë të marrin një mjekim të plotë i cili përfshin regjim shtrati dhe lejon shërim të plotë.

Përkundrazi ata nuk duan të humbasin grupet bashkëudhëtare, ndaj marrin në duar ilaçet dhe vijojnë rrugëtimin e tyre. Bileta e trenit  nga Presheva deri ne Sid,  kushton 15 euro për person, ose me autobusë ku çmimi i saj arrin deri në 35 euro për person, por refugjatët janë gati ti paguajnë këto çmime sepse kështu shmangin qëndrimet e  gjata në kampe.

Ata kampet i vizitojnë shumë shkurt, vetëm sa për të marrë  ushqim, pije të ngrohta, rroba të pastra dhe ndihmë mjekësore. Derisa shumë refugjatë janë larguar në kërkim të një jete më të mirë, mes regugjatëve ka edhe terroristë të infiltruar.

Të paktën këto janë të dhënat që kanë marrë shërbimet europiane të inteligjencës. Refugjatët sirianë pretendojnë se kanë parë një ish-anëtar që ka qenë në post të lartë në Shtetin Islamik, i cili tashmë jeton në Frankfurt dhe thone se ky nuk është një rast i izoluar. Kjo ka bërë që policia të nisë hetimet duke ngritur pista të shumta jo vetëm në Gjermani. (Gazmend Rexhepi, TVM2)