Stuhia "mamuth" përplaset mbi SHBA, 19 të vdekur , 85 milion njerëz të prekur
Një stuhi e madhe dëbore ka përshirë pjesën lindore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Nga kjo stuhi e madhe dëbore preken rreth 85 milionë banorë. 102 centimetra dëbore kanë rënë në disa zona, ndërsa 11 shtete shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.
Të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme në Nju Jork u ndaluan. Zyrtarët besojnë se, kjo mund të jetë një prej stuhive më të ashpra në të gjithë historinë e qytetit.
Të paktën 19 vdekje, shumica nga aksidentet rrugore, janë regjistruar që nga e premtja për shkak të motit ekstrem. Me dhjetëra mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike nga stuhia jonas ndërsa bllokime të mëdha trafiku, që në disa raste kanë zgjatur edhe 12 orë, u raportuan në Kentaki e Pensilvani.
Problemet kanë qenë të mëdha, sidomos në zonat rurale të Virxhinias së përballur me reshje të furishme dëbore. Mbi 1.000 përplasje makinash kanë ndodhur atje, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. I njëjti shtet shënon edhe dy të vdekur nga hipotermia.
Në Nju Jork, kufizimet e udhëtimit hynë në fuqi një ditë më parë, në 14:30 me orën lokale, për pasojë transporti u pezullua dhe urat u mbyllën. Automjetet e emergjencës e ato të riparuesve janë lejuar të qarkullojnë, por ata që drejtojnë makinza të zakonshme - thotë BBC, - rrezikojnë ndalimin nga forcat e rendit. Pothuajse të gjitha fluturimet në qytet janë anuluar.
Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se, në Nju Jork mund të bien deri në 70 centimetra dëborë, çfarë e bën këtë njërën prej stuhive më të ashpra dimërore që qyteti ka parë ndonjëherë.
