Maqedoni
Rasti “Mitmarrje”, anulohet gjykimi i Zaevit
25.01.2016 12:18
Gjykimi kundër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strumicës për rastin “Mitmarrje” është shtyrë për më datën 3 mars...

Seanca është anuluar, pasi i akuzuari Zaev nuk është paraqitur në Gjykatë. Ai nuk ka mundur të paraqitet sot para trupit gjykues të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për shkak të obligimeve zyrtare, tha avokati i tij mbrojtës, Filip Merdarski.
“Sot i akuzuari nuk ishte në gjendje të marrë pjesë në gjykim për arsye se kishte të caktuar një takim zyrtar. Për këtë e njoftuam trupin gjykues me dëshmi të rregullt lidhur me këto rrethana. Ndërkohë, kërkuam që të pajtohemi për një termin që të mund të jetë i pranishëm e që do të thotë se në asnjë mënyrë nuk i shmanget gjykimit apo që me qëllim nuk po paraqitet në gjykim”- deklaroi avokati mbrojtës, Filip Medarski.
Për sa i përket aktakuzës, avokati mbrojtës, Filip Medarski, tha se argumentet janë të qarta dhe se e njëjta nuk ka bazë juridike. Sipas tij, aktakuza, ashtu siç është formuluar, nuk ka elemente për vepër penale.
Përndryshe, Zaev akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strumicës ka kërkuar ryshfet nga një biznesmen për legalizimin e një parcele ndërtimore. Akuzën kundër Zaevit Prokuroria Publike e Shkupit e ka paraqitur në qershor të vitit të kaluar.
NAIM RAMADANI
