Botë
Zjarr në trenin e "Eurostar" në linjën Londër - Paris
25.01.2016 13:34
Rreth 700 pasagjerë në trenin "Eurostar" në linjën Londër - Paris, natën e kaluar mbetën të ngujuar pothuajse tetë orë në një hekurudhë të hapur në Francën Veriore...

Rreth 700 pasagjerë në trenin "Eurostar" në linjën Londër - Paris, natën e kaluar mbetën të ngujuar pothuajse tetë orë në një hekurudhë të hapur në Francën Veriore, për shkak të zjarrit në një lokomotivë.
Zjarri ka shpërthyer mbrëmë rreth orë 21, me ç'rast treni menjëherë është ndaluar në jug të qytetit Aras.
Sipas kompanisë "Eurostar", zjarri ka shpërthyer për shkak të një defekti në instalimin elektrik të lokomotivës. Për shkak të zjarrit dhe defektit në instalim, treni ka mbetur në errësirë.
Zjarrfikësit për një kohë të shkurtër e kanë shuar zjarrin, por lokomotiva e dëmtuar nuk ka mundur ta vazhdojë rrugën.
Pasagjerët kanë pritur të vijnë dy lokomotiva dizel, të cilat kompozimin e kanë tërhequr deri në stacionin Aras, ku më pas janë transferuar në një tren tjetër të "Eurostarit" me të cilin e kanë vazhduar rrugën.
"Eurostar" në kumtesë thekson se pasagjerët me trenin e ri kanë mbërritur në Paris në mëngjes rreth orës 5:30.
Sipas itinerarit, treni duhej të mbërrinte në Paris mbrëmë në orën 21:47./mia
