Botë
Francë, familja në Calais përleshet me azilkërkuesit
25.01.2016 15:11
Një tubim pro refugjatëve në Calais të Francës, në kufi me Britaninë e Madhe, për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi...

Dhjetëra refugjatë të revoltuar u përplasën me një familje vendase të shtunën pasdite. Babë e bir u konfliktuan fillimisht verbalisht me turmën pranë ndërtesës së Këshillit bashkiak.
Mes tensioneve të shtuara, sharjeve dhe ofendimeve, turma detyroi babë e bir të tërhiqen brenda banesës së tyre me insistimin e të zonjës së shtëpisë.
Por, tensionet u rritën më tepër gjatë tërheqjes së tyre drejt banesës, teksa palët filluan të gjuanin njëri-tjetrin me ç’u gjendej.
Të zënë në panik, i riu francez doli nga shtëpia e tij me një pushkë në dorë, të cilën nuk hezitoi ta drejtojë drejt azilkërkuesve si për t’i zmbrapsur tutje, por nuk qëndroi gjatë dhe e futi në banesë.
Kjo zemëroi dhe më tej turmën, e cila vazhdoi të hidhte drejt tyre sende të forta. Me të njëjtën formë u përgjigjën dhe babë e bir.
Pas përpjekjeve të shumta, gruaja franceze arriti të “mbyllë” në banesë të shoqin dhe të birin, e ndihmuar edhe nga një prej protestuesve, i cili u përpoq të qetësojë turmën.
GAZMEND REXHEPI
