Botë
Në ShBA nis pastrimi i borës, transporti publik mbetet i ndërprerë
25.01.2016 15:29
Miliona njerëz kanë pastruar borën, e cila paralizoi pothuajse lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata kanë filluar të heqin borën nga makinat e tyre dhe të pastrojnë rrugët nga bora, e cila në 5 shtete arriti deri në 91 cm trashësi.
Transporti publik vijon të mbetet i ndërprerë, si dhe shumë fluturime janë anuluar. Zyra federale do të mbetet e mbyllur edhe gjatë ditës së sotme në Uashington, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve i ka anuluar të gjitha votimet deri më 1 shkurt.
Deri tani janë shënuar 29 viktima që prej të premtes, kur nisi stuhia e cila tashmë po dobësohet drejt oqeanit Atlantik.
Stuhia preku më shumë se 85 milionë persona, ndërsa 300 mijë persona u prekën nga ndërprerja e energjisë elektrike.
