Greqi, humb jetën një emigrant në kufi me Maqedoninë

25.01.2016 15:34

Një emigrant ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar, si pasojë e përleshjes midis emigrantëve në anën greke të kufirit drejt Maqedonisë...

Siç njofton edicionin elektronik i gazetës athinase "Katimerini", zënka, e cila ka ndodhur herët në mëngjes, ka filluar midis një grupi emigrantësh të cilët kanë pritur në kufi për hyrje në Maqedoni.

Ndryshe, në njëzetë e katër orët e fundit nga Greqia në Maqedoni kanë hyrë  mbi 2 mijë emigrant. Po ashtu, sipas policisë greke, në kampin e përkohshëm në Idomeni janë vendosur rreth 500 të tjerë, ndërsa në pompën e benzinës presin 39 autobusë me gjithsej 2.000 persona, të cilët janë duke pritur që të transferohen në zonën neutrale të kufirit midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Ndërkohë, paralajmërohet se Bashkimi Evropian do të kërkojë që Agjencia evropiane Kufitare “Fronteks” të hapë zyrë në Maqedoni, në mënyrë që ta ndihmojë vendin për ta kontrolluar kufirin me Greqinë.

Siç shkruan gazeta gjermane "Bild am Zontag", kjo është përgjigje e Bashkimit Evropian ndaj nismës së kryeministrit slloven, Miro Cerar, për përforcimin e mbështetjes për Maqedoninë për kontrollin e kufirit me Greqinë. Ndërsa kryeministri çek, Bohusllav Sobotka, ka bërë të ditur se vendet e Grupit të Vishegradit kanë përgatitur një variant, sipas të cilit, do ta përforcojnë kontrollin në kufijtë jugor të Maqedonisë apo Bullgarisë, nëse gjatë shkurtit nuk funksionon marrëveshja për mbrojtjen e kufirit të Turqisë dhe të Greqisë.

Në një intervistë të shkurtër për televizionin shtetëror çek, Sobotka ka thënë se nuk guxon të përsëritet situata e vitit të kaluar, kur përmes vendeve ballkanike në Evropën e Mesme pa ndonjë kontroll të madh arritën qindra mijëra refugjatë.

“Turqia ka mjete të mjaftueshme për ta vënë krizën e refugjatëve nën kontroll. Shumë më thjeshtë është që të pengohen anijet për të lundruar në bregun turk, sesa të kthehen nga bregu grek”, ka theksuar kryeministri çek.

Ai potencoi se nëse rregullimi i kufirit greko-turk nuk fillon të funksionojë, Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria do t’ju kushtojnë vëmendje shteteve të tjera, gjegjësisht Bullgarisë dhe Maqedonisë, ku dëshirojnë personalisht ta përforcojnë sigurinë. Qeveria çeke, që në dhjetor të vitit të kaluar miratoi dërgimin e 25 policëve çekë në Maqedoni. (Gyltene Sinani, TVM2)