Maqedoni
Testimi ekstern, maturantët hasën në disa probleme teknike; MASh dhe QShP: Testimi u realizua sipas planit
25.01.2016 16:20
Në të gjitha shkollat e mesme filloi testimi ekstern i maturantëve...

Prej sot e deri të premten, 19 mijë e 931 maturantë do t’i nënshtrohen testimit ekstern në dy lëndë, kur për secilën lëndë ata do t’i përgjigjen 30 pyetjeve të përgatitura për ta.
Në disa shkolla të mesme ky proces filloi me një orë vonesë për shkak të problemeve teknike që u paraqitën me zbritjen e pyetjeve, thonë udhëheqësit e shkollave.
“Nxënësit duhen t’i nënshtrohen lëndës së parë të testimit ekstern, mirëpo në fillim patëm probleme me zbritjen e testeve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Qendrën Shtetërore për Provime, prej ku na informuan se do të kemi vonesë prej 1 orë. Problemi qëndronte te QSHP-ja, sepse nuk mundeshim të bëjmë zbritjen e testeve”- deklaroi drejtori i Sh. M. “Zef Lush Marku”-Shkup, Faruk Zeqiri.
“Testimi ekstern te shkolla jonë filloi në kohë pa pasur vonesa gjatë realizimit të tij. Komisioni shkollor arriti në kohë t’i bëjë parapërgatitjet për të filluar me realizimin e testimit ekstern”- theksoi drejtori i Sh. M. “Korçagin” Jordan Lukarevski.
Edhe këtë vit, disa prej maturantëve u shprehën të pakënaqur nga procesi i testimit ekstern, duke theksuar se ka pasur paqartësi me parashtrimin e pyetjeve dhe se disa pyetje fare nuk i kanë mësuar më herët në skriptat e mësimeve.
“Jo edhe aq mirë, sepse pyetjet ishin të ngatërruara dhe për mendimin tim nuk ishin të njëjtat pyetje që i kishim mësuar më herët”- tha një nxënës.
“U testova në lëndën e biologjisë. Pyetjet ishin të lehta gjatë testimit tim dhe nuk hasa në pyetje të cilat mund të ishin shumë të komplikuara, ndërsa koha ishte e mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve”- u shpreh një nxënëse.
“Unë jam testuar në lëndën e farmakoknozisë dhe kalova shumë mirë, testi ishte i lehtë dhe pyetjet ishin ato të cilat i kemi mësuar paraprakisht”- theksoi një nxënës.
“Unë hasa në disa paqartësi të vogla, por ato pyetje që ishin të ngatërruara i sqaruam me profesorët gjatë testimit ekstern”- theksoi një nxënës.
Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit dhe Qendrës Shtetërore të Provimeve njoftojnë se procesi i testimit ekstern të nxënësve të viteve të fundit të arsimit të mesëm filloi sot dhe po zhvillohet pa pengesa, ndërsa në disa shkolla edhe ka përfunduar tërësisht.
"Ka filluar procesi i kontrollimit ekstern të arritjeve të diturive të nxënësve nga vitet e fundit të arsimit të mesëm, që do të zgjasë deri më 29 janar. Sipas informatave nga terreni të testatorëve dhe mbikëqyrësve të angazhuar, procesi po zhvillohet pa pengesa, ndërsa në një pjesë të shkollave edhe ka përfunduar tërësisht", thuhet në kumtesën e MASh-it dhe Qendrës së Provimeve.
REXHEP QAMILI
