Asambleja parlamentare e KE-së: 20 monitorues për zgjedhjet në Maqedoni
Zgjedhjet e 24 prillit në Maqedoni do t'i vëzhgojnë 20 anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës...

Misionin monitorues për zgjedhjet parlamentare të prillit në Maqedoni Asambleja Parlamentare e KE-së e miratoi në ditën e parë të sesionit të rregullt dimëror në Strasburg, ndërsa ai do të kryesohet nga Stefan Shenah, kryetar i deritanishëm i Komitetit monitorues.
Lidhur me zgjedhjet në Maqedoni, kryetarja e deritanishme e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, An Braser, nga Luksemburgu, ka ftuar të gjithë partitë politike në Maqedoni që të mos i bojkotojnë ato.
"Nuk dëshiroj të përzihem në punët e brendshme të Maqedonisë, por dëshiroj t'u them të gjithë partive se me bojkotimin e zgjedhjeve, mospranimin e rezultateve ose bojkotimin e parlamentit nuk do të arrijmë të jetojmë në demokraci. Nevojitet të pranohet loja"- deklaroi ish-kryetarja e Asamblesë parlamentare të KE-së, An Braser.
Ndryshe, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjodhi edhe kryetarin e ri, Pedro Agramunt, i cili vjen nga Spanja dhe do të ketë mandat dyvjeçar. (Leunora Kaliqi, TVM2)
