Maqedoni
Ligji për mbrojtje nga pirja e duhanit, opozita: ligji gjen zbatim selektiv
25.01.2016 18:00
Opozita maqedonase thotë se Ligji për mbrojtje nga pirja e duhanit nuk zbatohet në tërë territorin e vendit...

Opozita maqedonase thotë se Ligji për mbrojtje nga pirja e duhanit nuk zbatohet në tërë territorin e vendit, madje pushteti e keqpërdor atë për të dënuar pronarët e objekteve hotelierike që nuk janë me pushtetin.
Veç kësaj, ligji ka paqartësi, pasi në njërën anë lejon pirjen e duhanit në veranda të hapura në tre anë dhe nëse për shkak të motit mbyllet një anë me tendë, në atë hapësirë ndalohet pirja e duhanit edhe pse dy anë të tjera janë të hapura. Opozita propozoi ligj për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji për të qartësuar këtë çështje.
“Problemi më i madh me këtë ligj është zbatimi i tij. Për dikë vlen, për dikë nuk vlen, në disa qytete vlen, në disa nuk vlen, për disa pronarë të afërt me pushtetin nuk vlen, për ata që mendojnë ndryshe shfrytëzohet për revanshizëm politik partiak”- theksoi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Mirëpo propozimi i opozitës nuk gjeti mbështetjen e shumicës parlamentare. Sipas tyre, propozimi është populist dhe ka për qëllim të legalizojë verandat sezonale rreth kafiterive.
“Jemi të vetëdijshëm se nëpër Maqedoni kemi uzurpim të hapësirave rreth kafiterive për të cilat paguhet taksë sezonale. Me këtë do t’i legalizojmë, do t’u japim bazë ligjore për shfrytëzim gjatë gjithë vitit”- tha Zoran Gjorgjieski nga VMRO-DPMNE.
Sipas propozuesit, projekt ligji nuk ka të bëjë me legalizimin e objekteve pa leje, por bëhet për të mënjanuar një lëshim teknik në ligj, ku një hapësirë e hapur shndërrohet në hapësirë të mbyllur edhe kur i ka dy anë të hapura.
SHPËTIM NUREDINI
