Zaev: KShZ të prononcohet për listën zgjedhore
Komisioni Shtetëror Zgjedhor të prononcohet për caktimin e datës së fundit për pastrimin e listës zgjedhore, kërkon lideri socialdemokrat, Zoran Zaev....

Ai gjatë takimit me ambasadorin kinez në Maqedoni, Zenshun Ven, ka thënë që për zgjedhje demokratike dhe korrekte me rëndësi primare është pastrimi i listës zgjedhore dhe plotësimi i kushteve për raportim objektiv.
“Të gjitha subjektet politike në Maqedoni dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë të vetëdijshëm se kanë kaluar të gjithë afatet ligjore për obligimet kyçe nga Marrëveshja e Përzhinës, pastrimi i listës zgjedhore dhe rregullimi i medieve. Presim që institucioni i pavarur i obliguar për listën, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, shumë shpejt të dalë me vlerësimin e afateve të nevojshme për pastrimin e listës zgjedhore. LSDM-ja është e vendosur për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës. Janë të patjetërsueshme zgjedhje të drejta dhe demokratike në Maqedoni, për këtë duhet siguruar listë e besueshme zgjedhore dhe kushte minimale për raportim objektiv nga mediet”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, grupet e punës takohen sot, ku partitë do të tentojnë sërish të zgjidhin të dyja çështjet, mediat dhe listën e zgjedhësve, që konsiderohen si kyçe për zgjedhjet e parakohshme.
Burime brenda grupeve të punës thonë se arritja e marrëveshjes për reformat në media është shumë afër dhe se pritet të hidhen vetëm nënshkrimet, edhe pse VMRO-DPMNE deri tani ka kushtëzuar marrëveshjen për mediat me modelin evropian të ligjit, derisa për metodologjinë e pastrimit të listës së votuesve partitë në pushtet kanë thënë se do të pranojnë propozimet nga KShZ-ja.
Ligji për media dhe pastrimi i listës zgjedhore mbeten dy nga pikat e pazgjidhura të Marrëveshjes së Përzhinës, të ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar, për dalje nga kriza politike në të cilën Maqedonia vazhdon të mbetet tashmë shumë muaj. (Ersan Pajaziti, TVM2)
