Grupet e punës takohen sërish pasdite, ende pa epilog lista zgjedhore dhe mediat
Grupet e punës do të takohen sërish sot në orën 17:30 për të diskutuar për metodologjitë e pastrimit të listës zgjedhore dhe mediat...

Ndërmjetësuesi Vanhaute pas përfundimit të bisedave mbrëmë deklaroi se në tryezë ishin propozimet e VMRO-DPMNE-së dhe se për shkak të konsultimeve partiake për to takimi u shty për sot.
Vanhaute dje u tha gazetarëve se ka propozime të reja për mediat dhe për spastrimin e listës zgjedhore nga VMRO-DPMNE-ja, si përgjigje e propozimeve paraprake të LSDM-së, por nuk dha shumë sqarime se për çfarë konkretisht bëhet fjalë, me siguri duke pritur paraprakisht që palët të merren vesh.
Dje në takime morën pjesë përfaqësuesit e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Por, a do të arrihet përafrimi i qëndrimeve mes partive pritet të shihet pas takimit të sotëm.
