Botë
"Emigrantët", takimi i ministrave të BE-së, kontrolli i përkohshëm i kufijve deri në 2 vjet
26.01.2016 12:08
Një pjesë e shteteve të BE-së po planifikojnë të zgjasin kontrollin e përkohshëm të kufijve deri në dy vjet për shkak se mijëra emigrantë po vijojnë të hyjnë në BE përmes Greqisë...

Në takimin e ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë së Bashkimit Evropian u pa qartë se angazhimi për të mos e lënë traktatin e Schengenit të dështojë ishte maksimal nga palët. Por, në fund triumfoi ideja e domosdoshmërisë për zgjatjen e kontrolleve kufitare me të paktën dy vjet.
“Aktualisht, masat për mbylljen e përkohshme të kufijve mund të merren për një periudhë të kufizuar gjashtëmujore. Por, azilkërkuesit nuk po pakësohen, për këtë anëtarët e bllokut e kanë ftuar KE-në të përgatisë bazën ligjore e praktike për vazhdimin e kontrolleve të përkohshme kufitare mbështetur në nenin 26 të kodit të Schengenit për kufijtë”- deklaroi ministri holandez i Emigracionit, Klaas Dijkohoff.
“Nëse situata nuk ndryshon dhe rendit publik të sigurisë së brendshme do të vazhdojnë t’i kanosen rreziqe serioze, atëherë disa shtete anëtare, nuk po i përmend me emra, mund ta kenë të nevojshme vazhdimin e kontrolleve kufitare përtej periudhës së parashikuar kohore”- tha komisioneri për emigracionin, Dimitris Avramopoulos.
“Ne duam ta ruajmë Schengenin, por koha po na ikën. 2016-ta pritet të sjellë një valë të madhe emigrantësh. Gjermania kërkon ulje të vazhdueshme, të ndjeshme dhe të qëndrueshme të numrit të azilkërkuesve, pasi deri tani kemi pranuar 1.1 milionë”- theksoi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas De Maiziere.
Verifikimet e vendosura në kufi nga vende si Gjermania, Austria e disa të tjera, mbi bazën e tanishme të marrëveshjes, duhet të zgjasin deri në muajin maj. Vendimi për zgjatjen e tyre nuk është marrë ende, por Komisioni Evropian është i hapur ndaj një lëvizjeje të tillë.
Greqia, ndërkohë, ka fajësuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, se kanë dështuar në dërgimin e fuqisë së mjaftueshme njerëzore dhe të anijeve për të ndihmuar në krizën me emigrantë dhe se nuk i kanë realizuar premtimet e tyre për rishpërndarjen e tyre.
LEUNORA KALIQI
