Maqedoni
Global Game Jam prej më 29 deri më 31 janar në Shkup, Manastir dhe Ohër
26.01.2016 13:01
Shkupi, Manastiri dhe Ohri prej më 29 deri më 31 janar të këtij viti do të jenë pjesë e ngjarjes më të madhe internacionale për krijimin e lojërave Global Game Jam...

Global Game Jam mbahet një herë në vit, në të njëjtën kohë në një numër të madh të lokacioneve në botë, si maratonë 48 orëshe me qëllim që t'i bashkojë dhe nxisë për kreativitet, bashkëpunim dhe eksperimentim të gjithë entuziastët, studentët, nxënësit e shkollave të mesme dhe profesionistët e sferave të ndryshme të cilët bëjnë ose kanë dëshirë të zhvillojnë lojëra.
Maqedonia iu bashkua Global Game Jam nga viti 2013 me lokacione në Shkup dhe Manastir, ndërsa prej sivet është paraparë edhe Ohri. Organizator është Asociacioni i Maqedonisë për zhvillimin e lojërave (MAGDA). Sipas organizatorëve, në tre vitet e kaluara interesimi për pjesëmarrje ishte shumë i madh. Në ngjarje u takuan pothuajse 600 pjesëmarrës të cilët bashkë kanë krijuar lojëra, kanë këmbyer njohuri, kanë realizuar kontakte, janë shoqëruar dhe kanë luajtur. Deri më tani janë krijuar 77 video lojëra në prototip, prej të cilave disa kanë vazhduar të zhvillohen në produkte komerciale.
Global Game Jam sivjet në Maqedoni do të mbahet në hapësirat e Inkubatorit Seavus në Shkup dhe FTIK në Manastir. Për pjesëmarrësit janë siguruar internet qasje e pandërprerë, ushqim, pije, hapësirë pune, rekreacion dhe pushim. Gjatë punës, mentorët e studios Seavus për zhvillimin e lojërave dhe nga Matrix Global - Tab Tale do t'ju ndihmojnë pjesëmarrësve dhe do të mbajnë ligjërata të shkurtra. Për ekipet dhe individët më inovativë janë siguruar shpërblime.
Më shumë informacione për ngjarjen si dhe fotografi të viteve të kaluara mund të merren në ueb faqen http://gamejam.mk.
Pas Global Game Jam që vitin e kaluar u mbajt në 518 lokacione në 78 vende dhe janë krijuar mbi 5.400 lojëra, qëndron Asociacioni ndërkombëtar i zhvilluesve/krijuesve të lojërave (IGDA)./Mia
