Botë
Kriza e refugjatëve, afro 200 emigrantë shpëtohen nga mbytja
26.01.2016 15:28
124 emigrantë u shpëtuan në brigjet pranë Libisë nga rojet bregdetare italiane. Emigrantët udhëtonin me anije nga Afrika...

Mes tyre ishin edhe 6 gra dhe një fëmijë. Vetëm në tre ditët e fundit, rojet bregdetare italiane kanë arritur të shpëtojnë 1211 emigrantë ilegalë.
Edhe në Granada peshkatarët arritën të shpëtojnë dy varka të vogla që po mbyteshin me 63 njerëz në bord. Dy gra shtatzënë janë transferuar menjëherë në spital bashkë me një person me dëmtime në këmbë. Mes tyre kishte edhe shtatë foshnja dhe 14 gra. Të mbijetuarit e tjerë janë transferuar në qendrën për refugjatë dhe pritet të riatdhesohen.
Suedia është tronditur nga vdekja e një punonjëse të një qendre azilantësh, e cila nuk arriti t’i bëjë ballë plagëve të marra pas goditjeve me thikë nga një refugjat 15 vjeçar. Arsyet e vrasjes ende nuk dihen, por viktima është një 22 vjeçare. Policia nuk ka dhënë shumë detaje, por ka konfirmuar se autori është arrestuar nën akuzën për vrasje.
Qendra në Molndal është në të vërtetë një qendër për të rinjtë refugjatë nga mosha 14 deri në 17 vjeç. Sipas Agjencisë suedeze për Migrim, numri i rasteve të dhunës në kampet apo qendrat e azilantëve është dyfishuar nga viti 2014 në 2015. Gjatë 2014-tës ishin regjistruar 148 incidente të tilla, ndërsa në 2015-ën ky numër shkoi në 322.
Presioni është rritur për policinë, e cila vetëm para pak kohësh kërkoi mbi 4 mijë oficerë shtesë dhe personel mbështetës për të ndihmuar në luftën kundër terrorizimit dhe kërcënimeve të tjera që mund të vijnë nga persona që kanë shfrytëzuar fluksin e refugjatëve për të hyrë në Evropë.
GAZMEND REXHEPI
