Maqedoni

Testimi ekstern kaloi pa probleme teknike, maturantët ankohen për pyetjet

26.01.2016 15:38

Dita e dytë e testimit ekstern në të gjitha shkollat filloi në kohë dhe nuk pati asnjë problem teknik gjatë realizimit të tij...

Maturantët këtë javë do të vazhdojnë të  testohen në dy lëndë, ndërsa udhëheqësit e shkollave shpresojnë se këtë vit do të arrijnë rezultate më të mira dhe më të përafërta me vlerësimet e profesorëve.
 
“Për fat të mirë nuk kemi gabime teknike, procesi i testimit ekstern ka filluar në kohën e duhur. Grupi i parë ka filluar në orën 9 e 30, grupi i dytë ka filluar në 11 dhe grupi i tretë në 12 e 30. Këtë vit mund të presim rezultate të përafërta me notimin e profesorëve, për shkak se vazhdimisht është duke u punuar në atë drejtim që të përputhen vlerësimet e profesorëve me vlerësimin ekstern”- deklaroi ndihmësdrejtori në ZLM, Besim Limani.
 
Maturantët edhe sot drejtuan një sërë vërejtjesh me përkthimin e disa pyetjeve, për pyetjet të paqarta dhe pyetje të cilat fare nuk i kanë mësuar më herët në procesin mësimor.    
 
“Pyetjet ishin të thjeshta në përgjithësi lidhur me mësimin që kishim, por në disa momente kishte pyetje edhe që si kuptonim, por mirë shkoi testimi. Unë isha në lëndën e ekonomisë, ndërsa disa pyetjet ishin ishin jashtë mësimit që kemi marrë ne”- tha një nxënëse.
 
“Ka pasur nxënës që janë ankuar shumë, për shembull në testin e psikologjisë ka pasur pyetje të ekonomisë. Unë e kam pas lëndën e psikologjisë, mirëpo edhe unë kam pasur probleme se kam pas pyetje të ekonomisë ose të biznesit. Atyre pyetjeve unë logjikisht iu përgjigja dhe jam përpjekur t’i përmirësoj gabimet. Por, gjithashtu ka pasur gabime edhe me përkthimet në gjuhën maqedonase dhe gjermane, por nuk e di se si nxënësit e kanë zgjidhur këtë çështje me profesorët”- theksoi një nxënëse.  
 
Udhëheqësit e shkollave thonë se të gjitha vërejtjet e nxënësve që kanë bazë për ankesë do të procedohen deri te Qendra Shtetërore e Provimeve. Përfaqësuesit e këtij institucioni informojnë se këtë vit, për dallim nga vitet e kaluara, presin të kenë pak ankesa të nxënësve për arsye se këtë vit janë angazhuar më shumë persona për realizimin e testimit ekstern.
 
Testimi ekstern i maturantëve organizohet për të katërtën herë në vend, ndërsa qëllimi kryesor i këtij është kontrollimi i arritjeve të diturive të nxënësve.
 
REXHEP QAMILI